Porosia e zyrtarit të PE-së që të mos jepen afate për viza, flet ministrja Hoxha

Prishtinë | 11 Maj 2018 | 15:14 | Nga

Zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, Rainer Wieland, gjatë vizitës së tij në Kosovë të enjten, tha se në institucionin ku ai punon nuk ka shkuar ndonjë dokument për t’u votuar për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ndërkaq i ka porositur politikanët kosovarë që të mos nguten për të dhënë afate rreth heqjes së vizave. Ministrja Dhurata Hoxha ka treguar për Express se kur ky dokument do të dërgohet në PE.

Zyrtarët shtetërorë të Kosovës insistojnë se vendit do t’i hiqet regjimi i vizave brenda këtij viti. Madje thonë se viti 2018 është afati i fundit kur qytetarët do të mundë të udhëtojnë lirshëm për në zonën Shengen.

Por një zyrtar i lartë në partinë e kancelares gjermane, Angela Merkel, që mban post të lartë në Parlamentin Evropian i ka ftuar politikanët e Kosovës që të mos japin premtime për datën e liberalizimit të vizave.

“Nuk shoh ndonjë momentum që dokumenti për viza të vijë në Parlamentin Evropian që të votohet”, është shprehur ai.

Për këtë ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, e ka sqaruar për Gazetën Express situatën e vizave dhe dokumentin që duhet shkuar në PE për t’u votuar për liberalizimin e vizave.

Ajo ka thënë se Komisioni Evropian më 3 e 4 maj 2018, ka vlerësuar përmbushjen e kriterit të fundit për liberalizimin e vizave që është progresi në trajtimin gjyqësor të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Janë këto raste të profilit të lartë apo siç po quhen rastet e shënjestruara. Këtë raport vlerësimi, do ta publikojë besojmë shumë shpejt Komisioni Evropian. Sigurisht që ky raport vlerësimi është detyrë e Komisionit Evropian ta dërgojë në Parlamentin Evropian”, ka thënë ministrja.

Ajo sqaron se institucionet e Kosovës nuk kanë mundësi ta kenë këtë raport derisa ai nuk publikohet nga Komisioni Evropian dhe rrjedhimisht nuk mund ta dërgojnë atë në Parlament Evropian.

“Shkëmbimi i dokumenteve është procedurë e brendshme e institucioneve të BE-së dhe se institucionet e Kosovës nuk mund të bëjnë dhe as që kanë të drejtë të hyjnë në komunikime të brendshme të BE-së”, ka shtuar ministrja, derisa nuk i ka komentuar thirrje e zëvendëspresidentit që të mos jepen afate për viza.

Hoxha që nga marrja e detyrës së saj dhe, po ashtu, qëkur demarkacioni mori epilog në Kuvend ka thënë se ky vit është afati i fundit kur duhet të ndodhë heqja e vizave.

Sidoqoftë, javën e kaluar, Kosova priti për dy ditë me radhë një delegacionin vlerësues të BE-së, për kriterin e fundit për procesin e liberalizimit të vizave. Pas largimit të këtij delegacioni ministrja Hoxha ishte shprehur optimiste se presin një vlerësim pozitiv nga Komisioni Evropian.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme