“Poshtë e përpjetë”, Latifi përdor frazën e Demaçit për t’i kritikuar vizitat e Kurtit në Bruksel

Prishtinë | 18 Maj 2021 | 20:29 | Nga Ekonomia Online

Profesori universitar, Blerim Latifi, njëherësh edhe njohës i çështjeve politike, i ka kritikuar vizitat e shpeshta të kryeministrit Albin Kurti në Bruksel lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, për të cilat po aludon se e tejzgjatin arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet dy palëve.

Latifi, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në ‘Facebook’ e ka përmendur frazën e famshme të veprimtarit Adem Demaçi “anej-knej, poshtë e përpjetë”, për t’i përshkruar vizitat e tij. Kurti zhvilloi dy vizita përbrenda 20 ditëve në qendrën politike të BE’së.

“Kurti prapë në Bruksel. Ishte edhe para pak ditësh. Sot një darkë pune, pastaj një drekë, pastaj një konferencë këtu dhe një tryezë atje. Pastaj edhe një takim për t’u takuar prapë pas një kohe. Pastaj prapë edhe një… Veç kur t’ çohet një ditë e ta kuptojë se kanë ikur katër vite duke vajtur e ardhur në dialogun Kosovë-Serbi të fasilituar nga Lajçaku ose ndonjë pasardhës i tij. Ose siç thoshte Adem Demaçi: anej-knej, poshtë e përpjetë!”, shkroi Latifi në postim.

Kurti përgjatë ditës, në kuadër të asaj që BE po e quan takim jo-formal me vendet e Balklanit Perëndimor, mbajti takim ndaraz me ndërmjetësuesin special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Për takimin njoftoi Lajçak, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në ‘Twitter’, duke thënë se biseduan për vazhdimin e dialogut mes pales kosovare dhe asaj serbe.

“Përbrenda margjinave të eventit jo-formal të Ballkanit Perëndimor, më erdhi mire që takova kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, me të cilin bisedova për hapat e ardhshëm të dialogut [Kosovë-Serbi]”, deklaroi Lajçak.

Të ngjashme