Pozita e Haradinajt mbetet pezull, Kushtetuesja mund t’ia vonojë përgjigjen edhe dy muaj

Prishtinë | 31 Kor 2019 | 17:54 | Nga Ekonomia Online

Të hënën, Ramush Haradinaj dorëzoi në Gjykatë Kushtetuese një kërkesë për interpretim të aktit të dorëheqjes së tij nga posti i kryeministrit.

Haradinaj deklaroi se qëllimi i kërkesës është, që jo vetëm të kërkohet sqarim për situatën juridike të krijuar pas dorëheqjes por edhe që ky interpretim nga Gjykata Kushtetuese t’i qartësojë situatat e ngjashme në të ardhmen.

Për çështjen në fjalë, në Kushtetuese thonë se lënda është duke u proceduar.

“Kjo lëndë tashmë është regjistruar dhe duke u proceduar nga Gjykata”,  ka thënë për lajmi.net, Veton Dula, drejtor i Zyrës për Komunikim dhe Informim.

Haradinaj kërkoi që për shkak të urgjencës, Kushtetuesja të vendos shpejtë, dhe shtoi se do ta respektojë vendimin cilido qoftë ai.

Mirëpo, kjo gjykatë nuk ka ndonjë afat të caktuar për vendimmarrje.

“Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe Ligji për Gjykatën Kushtetuese përcaktojnë qartë rastet në të cilat gjykata ka afate të detyrueshme ligjore për vendimmarrje, të cilat duhet respektuar. Për sa i përket afatit kohor për shqyrtimin e kësaj lënde, gjykata nuk ka ndonjë afat të caktuar për vendimmarrje”, ka deklaruar Dula.

Duke u bazuar në praktikat e deritanishme me kërkesat institucionale që ngërthenin në vete situata më urgjente, Dula ka theksuar se koha minimale për vendimmarrjen e gjykatës varion nga një muaj e gjysmë deri në dy muaj.

“Kjo për arsye se, janë një sërë veprimesh procedurale që gjykata tani duhet të ndërmarrë, si para shqyrtimit e po ashtu edhe pas shqyrtimit të lëndës, të cilat zbatohen me rigorozitet në çdo kërkesë të parashtruar”, ka përfunduar ai.

Haradinaj dha dorëheqje nga posti i kryeministrit pas ftesës së Gjykatës Speciale për intervistim.

Pas dorëheqjes së tij, partitë politike kanë nisur përgatitje për zgjedhje të parakohshme. Disa prej tyre kanë thënë se do të iniciojnë sa më shpejt shpërbërjen e parlamentit.

Ndërsa, ditë më parë, presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se do t’i ftojë subjektet politike për t’u konsultuar para marrjes së një vendimi, mirëpo ende nuk e ka ndërmarrë një veprim të tillë. 

Të ngjashme