Pozita e opozita të bashkuar në Komisionin e Posaçëm, do t’i vlerësojnë kandidatët për gjyqtar të Kushtetueses

Prishtinë | 07 Maj 2021 | 18:44 | Nga Ekonomia Online

Në muajin maj pritet të përfundoj procesi i vlerësimit të kandidatëve që janë në garë për t’u bërë gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese. Në këtë garë janë gjithsejtë 11 kandidatë që pritet të intervistohen nga Komisioni i Posaçëm që tashmë është themeluar nga Kuvendi.

E Komisioni i Posaçëm për vlerësimin e kandidatëve, me gjithsejtë 11 anëtarë, ka bërë bashkë pozitën e opozitën.

Në këtë komision do të jenë të gjithë kryetarët e grupeve parlamentare dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.

Krahas deputetëve, të përfaqësuar do të jenë edhe Këshilli Gjyqësor, Gjykata Kushtetuese, Avokati i Popullit e Këshilli Konsultativ për Komunitete.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ashtu siç ia mundëson edhe ligji, ka deleguar deputetin e VV-së Adnan Rrustemi, i cili do të jetë kryes i Komisionit që do të vlerësoj individët që synojnë të bëhen anëtar të Kushtetueses.

Ndërkaq zëvendësi i Rrustemit do të jetë shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.

Kuvendi i Kosovës në një përgjigje për Gazetën Online ‘Reporteri.net’ e ka treguar listën e plotë të anëtarëve të Komisionit të Posaçëm.

“1. Adnan Rrustemi, kryesues (i deleguar i kryetarit të Kuvendit),

  1. Abelard Tahiri, udhëheqës i GP PDK, zëvendëskryesues i parë,
  2. Igor Simiq, udhëheqës i GP LS, zëvendëskryesues i dytë,
  3. Mimoza Kusari-Lila, udhëheqës i GP-VV, anëtare,
  4. Arben Gashi, udhëheqës i GP- LDK, anëtar,
  5. Besnik Tahiri, udhëheqës i GP-AAK, anëtar,
  6. Erxhan Galushi, udhëheqës i GP- Multietnik, anëtar,
  7. Skënder Çoçaj, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, anëtar,
  8. Aleksandar Rapajić, përfaqësues i Këshillit Konsultativ për Komunitete, anëtar,
  9. Bajram Ljatifi, Zëvendëskryetar i Gjykatës Kushtetuese, anëtar,
  10. Naim Qelaj, Avokat i Popullit”, janë anëtarët e Komisionit të Posaçëm.

Dje Kuvendi në një përgjigje për Gazetën Online “Reporteri.net”, ka treguar se kur do të zhvillohet testimi me shkrim dhe intervistimi me gojë për kandidatët për gjyqtarë në Gjykatë Kushtetuese.

“Testi me shkrim do të mbahet me 17 maj 2021, ndërsa intervistimi me gojë më 24 maj 2021”, ka njoftuar Kuvendit.

Këtij procesi të vlerësimit do t’i nënshtrohen saktësisht 11 kandidatë.

Vigan Qorrolli, Hava Bujupaj-Ismajli, Shukri Sylejmani, Gjylbehare Murati, Hashim Çollaku, Hilmi Jashari, Valbona Shala-Thaqi, Visar Morina, Haxhi Xhemajli, Zef Prenrecaj dhe Ramadan Gashi janë kandidatët që do të intervistohen e testohen nga Komisioni i Posaçëm.
Reporteri.net ka shkruar më herët rreth përgatitjeve që po i bëjnë kandidatët që synojnë ta zëvendësojnë Arta-Rama Hajrizin në Kushtetuese, të cilës i përfundon mandati muajin e ardhshëm.

Të ngjashme