Pozita lëshon Komisionin gjatë diskutimit të dekretit për faljen e një personi të dënuar për vrasje

Prishtinë | 26 Qer 2018 | 14:32 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Dekreti i fundit i Presidentit për të falur 14 të burgosur në Burgun e Dubravës ka shkaktuar debat në Komisionin për Legjislacioni, pasi Arbenita Arifi, e bija e Agron Arifit, i cili u vra nga Ruzhdi Misini në vitin 2010 e që u fal nga presidenti këtë vit, ka dorëzuar ankesë në këtë komision.

Misini ishte dënuar me 13 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa me vendimin e Presidentit atij iu falën dy vjet.

Kryetarja Albulena Haxhiu tha se ka pasur keqpërdorime në faljen e personave e sidomos të personit në fjalë, raporton Ekonomia Online.

“Ne kemi pasur probleme me këto falje. Në dekretin e presidentit shkruhet që është i dënuar vetëm për një vepër, ndërkaq në realitet është i dënuar për dy vepra”.

Frashër Krasniqi tha se praktika që të falen persona me emra konkretë është problematike.

“Unë nuk jam kundër faljeve dhe amnistimeve sepse kjo është praktikë, mirëpo çka është bërë praktikë në Kosovë është se po bëhen falje individuale, me emra konkretë. Nuk është problem që falja të bëhet për një grup personash që e kanë kryer një vepër, mirëpo jo për persona konkretë. Kur fillon me bo falje me emra individualë, atëherë kjo është problematike. Ka hapësirë me dyshu pse është falë pikërisht ai person, na kemi të drejtë me dyshu, sidomos kur e dimë se çfarë presidenti kemi”.

Bilall Sherifi tha se komisioni s’mund të vendosë për këtë çështje.

“Kemi një situatë të rëndë, nuk mund ta kalojmë thjesht ta shfrytëzojmë këtë situatë për interesa politike. Ne si komision mund të debatojmë por s’mund të vendosim”.

Hajdar Beqa tha se kjo çështje nuk duhet të merret për përfitime politike, raporton EO.

“Nuk duhet të politizohet kjo. Nuk është e drejtë të diskutohet dekreti i presidentit. Është mirë që të bisedojmë paraprakisht në komision. Nuk është mirë që në çdo fatkeqësi të përfitojmë politikisht, as ti e as Frashëri. Nuk ke të drejtë të sjellësh një shkresë nga një qytetar pa u konsultuar me tërë komisionin”.

Nezir Çoçaj tha se kjo po përdoret për shkak të politikave të individëve të caktuar.

“Shumëkush nga ju dhe partia juaj nuk e ka pranuar as pavarësinë e Kosovës. Për njerëz që e kanë kallë qeverinë, e kanë kundërshtuar vendime të rëndësishme pritet edhe kjo”.

Shkumbim Demalijaj propozoi që pozita ta lëshojë komisionin, ndërkaq këtë e mbështetën edhe Nezir Çoçaj, Hajdar Beqaj dhe Bahrim Sabani. Pjesa e mbetur e komisionit vazhdoi diskutimin, megjithatë pikat që ishin në rend dite nuk u diskutuan për shkak të mungesës së korumit.

Të ngjashme