Pozitë dhe opozitë kërkojnë nga BE-ja përmbushjen e premtimit për liberalizimin e vizave

Prishtinë | 23 Qer 2022 | 08:33 | Nga Fitore Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Pozitë e opozitë kanë kërkuar nga liderët e Ballkanit Perëndimor që në prag të samitit të BE-së, që do të mbahet të enjten dhe të premten, të vendosin pro liberalizimit të vizave për kosovarët, raporton Ekonomia Online.

Në këtë samit do të vendoset nëse Kosova do të jetë në agjendë për marrjen e liberalizimit të vizave dhe nëse i ka përmbushur të gjitha kushtet për të lëvizur pa viza në Shengen.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se ekziston mundësia që Kosova të vendoset në rend dite për marrjen e liberalizimin e vizave.

Ai tha se Bashkimi Evropian duhet ta përmbushë premtimin që i ka dhënë Kosovës për t’ia mundësuar qytetarëve lëvizjen e lirë drejt vende evropiane.

“Shpresoj që të vendoset në rend dite sepse ekziston mundësia e diskutimit për tu vendosur në rend ditë në kuadër të takimit të nivelit të paraparë. Kosova i ka përmbushur kushtet për viza. Që atëherë ne presim prej Bashkimit Evropian një të drejtë të mohuar që është kontraktuale. Ne kemi pasur kontratë me Bashkimin Evropian për të gjitha kushtet që duhet ti zbatojnë. Tani BE-ja nuk po e përmbushë atë që tha kancelari Shqolz që ia kujtoi presidentit Macron që duhet të përmbushë premtimin për Kosovën”, tha Haradinaj.

Ndërsa deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi theksoi se sa i përket liberalizimit të vizave kjo çështje nuk varet nga Kosova, teksa tha se për këtë çështje janë plotësuar të gjitha kushtet.

Rrustemi uron që Kosova të bëhet pjesë e hapësirës së lëvizjes së lirë, duke thënë se kosovarët padrejtësisht vazhdojnë të jetë të diskriminuar në këtë drejtim.

Sipas tij, nuk mund të flitet për afate e as data sepse nuk është një vendim që varet nga institucionet e Kosovës.

“Për sa i përket liberalizimit të vizave duhet ta përsërisim se kjo çështje nuk varet nga ne por varet nga BE-ja. Ne duhet të përmbushim detyrat tona të shtëpisë dhe konsiderojmë se tashmë janë përmbushur të gjitha kriteret e përcaktuara dhe vendimi i përket BE-së. Urojmë që sa më parë të ketë një vendim pozitiv dhe që Kosova të bëhet pjesë e hapësirës së lëvizjes së lirë sepse padrejtësisht qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jetë të diskriminuar në këtë drejtim. Por megjithatë nuk mund të flasim për afate e as data sepse nuk është një vendim që varet nga institucionet tona. Uroj që të kemi sa më parë të kemi vendim pozitiv nga institucionet ne be sepse është bërë gjatë dhe është vendim i padrejtë kur kemi parasysh që Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizim të vizave”, tha Rrustemi.

Të ngjashme