Presidenca: Nuk kemi marrë asnjë propozim për ambasadorë

Prishtinë | 25 Nën 2020 | 14:10 | Nga Ekonomia Online

Presidenca e Kosovës sqaron se nuk ka pranuar asnjë dokument/propozim që lidhet me shërbimin diplomatik nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD).

Nga Zyra e Presidencës thanë për Ekonomia Online, deri më tash nuk kanë pranuar asnjë propozim për ambasadorë të rinj.

“Në mënyrë që të shqyrtohet emërimi i ambasadorëve të rinj, duhet të vijnë propozimet nga Qeveria. Deri tash, Qeveria nuk i ka sjellë u.d. Presidentes Osmani asnjë dokument/propozim të vetëm që lidhet me shërbimin diplomatik, përkundër faktit që u.d. Presidentja ka kërkuar që propozimet të dërgohen urgjentisht”, ka deklaruar Bekim Kupina, këshilltar për Medie i u.d. Presidentes.

“Këtë kërkesë, u.d. Presidentja ia ka bërë Kryeministrit Avdullah Hoti në takimin e parë, më 9 nëntor, teksa kërkesa me shkrim i është adresuar Zyrës së tij më 11 nëntor”, ka shtuar Kupina,

Kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, mbrëmë ka deklaruar se ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dërguar në Presidencë emrat për ambasadorë të rinj pa u konsultuar me Kryeministrin e Kosovës.

Të ngjashme