Presidenca: Vendimi për falje në rastin Kiçina nuk i acaron marrëdhëniet me shtetet mike

Prishtinë | 06 Jan 2018 | 08:10 | Nga

Pas shprehjes së shqetësimit nga ana e shteteve të QUINT-it lidhur me vendimin e presidentit të vendit, Hashim Thaçi, për faljen e dy vëllezërve Arsim e Burim Ramadani, si dhe të Arben Kiçinës, Presidenca ka kërkuar që vendimi të respektohet nga të gjithë. Me gjithë shprehjen e shqetësimit me anë të një deklarate për këtë vendim, që të enjten është publikuar në faqen e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, sipas Zyrës së presidentit, vendimi për falje nuk do të ndikojë në marrëdhëniet me shtetet mike, shkruan sot Koha Ditore.

“Vendimi për falje është plotësisht në përputhje me Kushtetutën, me ligjet përkatëse dhe procedurat në fuqi, të cilat janë zbatuar në përpikëri, ashtu sikurse që janë zbatuar edhe për faljet e tjera në të kaluarën”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për informim të presidentit të Kosovës dhënë gazetës një ditë pas deklaratës së përbashkët të SHBA-së , Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë.

Ndërkohë që, sipas tyre, ky vendim nuk mund t’i acarojë marrëdhëniet e Kosovës me këto shtete. “Vendimet që merren në mënyrë demokratike nga ana e institucioneve të Republikës së Kosovës, të cilat janë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet tona, duhet të respektohen nga të gjithë. Prandaj këto vendime nuk mund të acarojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera mike”, thuhet me tej në përgjigje..

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme