Presidenti kujton Holokaustin: Ndihemi krenarë që ndihmuam në shpëtimin e hebrenjve

Prishtinë | 27 Jan 2019 | 15:47 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përkujtuar Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit. Thaçi në Facebook ka shkruar se sot kujtojmë një prej tmerreve më të mëdha në historinë e njerëzimit, Holokaustin, që mori jetët e miliona civilëve vetëm për shkak të përkatësisë së tyre etnike.

“I kujtojmë dhimbjet që i mësuam nga dëshmitarët, duke u munduar të nxjerrim mësime rreth shkaktarëve të kësaj mizorie, për të mos lejuar që të përsëritet më për asnjë popull. Botës i janë dashur dekada të tëra që të përballet me peshën e krimeve të Holokaustit dhe me përgjegjësinë e atyre që nuk e ndaluan një tragjedi të tillë”, ka shkuar presidenti.

Tutje ai ka deklaruar se Kosova do të angazhohet për barazi, sundim të ligjit, liri dhe të drejta të barabarta për të gjithë.

“Si shqiptarë, ndjehemi krenarë me rolin që kemi luajtur në shpëtimin e hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore”, ka shkruar Thaçi.

Ndërkohë sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, ku përkujtohen miliona viktima të gjenocidit të Gjermanisë naziste, që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Rreth gjashtë milionë hebre u vranë, në përpjekjen sistematike naziste për shfarosjen e tyre.

Asambleja e Përgjithshme OKB-së caktoi 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, datë e cila përkon me përvjetorin e çlirimit të kampeve të vdekjes Auschvitz-Birkenau në vitin 1945.

Një rol të rëndësishëm për të shpëtuar hebrenjtë, e kanë luajtur shqiptarët, të cilët në familjet e tyre kanë strehuar shumë hebre që kishin ikur nga vendet tjera, apo jetonin në Kosovë dhe Shqipëri. Për nder të kësaj dite, sot në disa qytete të Kosovës do të ketë aktivitete të ndryshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme