Presidenti s’ka mundësi ligjore ta shmangë Kuvendin për marrëveshjen me Serbinë

Prishtinë | 30 Sht 2018 | 08:11 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Njohësi i çështjeve juridike dhe njëri nga pjesëmarrësit në hartimin e Kushtetutës, Riza Smaka, përjashton çdo mundësi që marrëveshja përfundimtare me Serbinë, nëse eventualisht arrihet, të konsiderohet e përfunduar vetëm pas nënshkrimit nga presidenti, pa u ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.

“Marrëveshja apo çështja për kufij është shprehimisht eksplicite e precizuar si juridiksion, kompetencë e Kuvendit, prandaj këtu nuk ka kurrfarë mundësie që të bëhet çfarëdo shmangie që të mos ratifikohej nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, ka thënë Smaka në një prononcim për Ekonomia Online.

“Gjykata Kushtetuese nuk ka autorizim për të formuluar dispozita përpos të dhënies së shpjegimit kuptimplotë të dispozitës ekzistuese. Ajo është shprehimore, kështu që ajo nuk vjen kurrsesi në shprehje e as nuk mund të vijë në shprehje”, ka shtuar ai.

Kërkesa e presidentit Hashim Thaçi për interpretimin e nenit 18 të Kushtetutës i cili përcakton mënyrën e ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, e ka befasuar Smakën, pasi vlerëson se kjo dispozitë është krejtësisht e qartë dhe nuk ka nevojë për sqarime shtesë.

Sipas këtij neni, Kuvendi i Republikës së Kosovës me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve ratifikon marrëveshjet ndërkombëtare për disa çështje dhe mbi të gjitha për territorin, paqen, aleancat, çështjet politike dhe ushtarake.

Ish-anëtari i Komisionit për hartimin e Kushtetutës, Smaka, ka thënë për EO se tani Kushtetuesja nuk ka çfarë të sqarojë pasi gjithçka e thotë qartë Kushtetua.

“…Për mua është pak a shumë befasuese pse ka kërkuar përderisa ajo dispozitë është plotësisht e qartë dhe në bazë të saj dispozite është miratuar ligji”, vlerëson Smaka.

“Ekziston ligji aplikativ për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, prandaj nuk e di tash Gjykata Kushtetuese çfarë ka për të thënë pos asaj që është thënë në Kushtetutë, më detajisht edhe në Ligjin për Ratifikimin e Marrëveshjeve ndërkombëtare”, është shprehur ai.

Në kohën kur po flitet se është afruar koha e arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë, Thaçi ka pyetur Kushtetuesen nëse konsiderohen të ratifikuara marrëveshjet ndërkombëtare që nënshkruhen nga presidenti, pa i çuar fare në Kuvend dhe pa miratimin e deputetëve.

Presidenti kosovar ka prezantuar idenë e tij për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit me Kosovën, përmes procesit që ai e quan “korrigjim i kufirit” me Serbinë.

Thaçi ka mohuar mundësinë e dhënies në këmbim të komunave veriore të Kosovës apo resursve të pasura si Liqeni i Gazivodës apo Trepça.

Duke folur rreth kësaj mundësie, Smaka thotë se bashkëngjitja e Luginës së Preshevës do të ishte ideale dhe shumë e dëshiruar.

Kjo për arsye se, sipas tij, shqiptarët në atë pjesë të Serbisë nuk kanë kurrëfarë të drejtash, por vlerëson se megjithatë ajo është çështje për të cilën duhet të dakordohen të dyja shtetet.

Smaka e sheh të domosdoshme që Serbia së pari ta njohë Kosovën si shtet të pavarur, e pastaj të disktuohet për korrigjim të kufirit apo çështje tjera.

Para se kjo të ndodhë, sipas Smakës, të gjitha diskutimet e rreth këtyre çështjeve bëhen për konsum politik.

“Para se Serbia ta njoh Kosovën për shtet të pavarur, këto janë vetëm floskula politike ditore që mund të lansohen për qëllimet e caktuara. Sot për sot, Serbia e konsideron Kosovën pjesë përbërëse të saj, Serbia me Kushtetutën e saj hegjemoniste Kosovën e konsideron qark, krahinë. Serbia duhet ta njohë Kosovën e më pastaj të zhvillohen këto procese politike që mund të jenë në këtë variant, atë variantë etj”, theksoi Smaka.

Ai beson se shteti serb nuk ka rrugë tjetër pos ta njoh pavarësinë e Kosovë, sepse vlerëson se Bashkimi Evropian nuk pranon si anëtarë vende që kanë çështje të hapura dhe probleme mes vete.

Smaka ka bërë thirrje që çështja e të zhdukurve, dhunimeve, dëmeve, pasurisë së Kosovës në ish-Jugosllaivë patjetër të trajtohen në pjesën e mbetur të dialogut me Beogradin në Bruksel.

Madje, ai shprehet i harme të gjithë bartësit e dialogut që nga shpallja e pavarësisë, pse këto tema nuk janë biseduar deri më tash.

“Kjo është një temë shumë delikate dhe sensitive që ia shoh për të madhe varg e vijë prej kryeministrit të parë prej shpalljes së pavarësisë deri në ditën e sotme. Kjo është çështje pa të cilën nuk mund të diskutohet më tutje. Nuk do të duhej që autoritetet e Kosovës të bënin koncesione në këtë pikë, do duhej që parakushti i të gjitha parakushteve kjo”, u shpreh ai.

Të ngjashme