Presidenti Thaçi emëroi gjyqtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese

Prishtinë | 09 Gus 2018 | 12:28 | Nga

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në mbështetje të nenit 84 (4, 19) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, nenit 6 të Ligjit Nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës (Gazeta Zyrtare, nr. 47,  25 janar 2009), nenit 7 të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (Gazeta Zyrtare, nr. 46 / 15 janar 2009), në pajtim me propozimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës (Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 06-V-134, dt. 18 maj 2018 dhe Vendimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës Nr. 06-V-174, dt. 06 korrik 2018), ka emëruar gjyqtarët në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Ceremonia e  betimit e gjyqtarëve të rinj para presidentit Thaçi është zhvilluar sot, ku e pranishme ka qenë edhe Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama.

Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Bajram Ljatifi, Safet Hoxha, RemzijeIstrefi–Peci, RadomirLeban dhe Nexhmi Rexhepi, që sot kanë dhënë betimin para presidentit Thaçi, paraprakisht kishin kaluar të gjitha procedurat në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe emrat e tyre ishin shqyrtuar nga Komisioni i Posaçëm për Përzgjedhjen e Kandidatëve për Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, pas zhvillimit të procedurave të votimit të fshehtë të mbajtura në seancat plenare të Kuvendit.

Gjatë procesit të votimit të fshehtë, RemzijeIstrefi-Peci kishte marrë gjithsej 83 vota, RadomirLeban kishte marrë 71 vota, Nexhmi Rexhepi kishte marrë 66 vota, Safet Hoxha kishte marrë 62 vota dhe Bajram Ljatifi kishte marrë gjithsej 58 vota.

Përbërja e Gjykatës Kushtetuese, për herë të parë në historikun e saj, tanimë është vetëm me gjyqtarë vendorë.

Të ngjashme