Presidenti Thaçi ndan urdhrin “Hero i Kosovës” për 66 dëshmorët e Brigadës 125

Prishtinë | 11 Mar 2020 | 14:28 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka ndarë dekorata për 66 dëshmorët e Brigadës 125 të Zonës Operative të Pashtrikut.

Presidenti Thaçi ka thënë se është në Prizren sot për t’i nderuar dëshmorët e rënë në luftë për liri, për çlirim, pavarësi dhe bashkim kombëtar në Zonën Operative të Pashtrikut.

“Sakrifica e të rënëve për liri, invalidëve të luftës, veteranëve të luftës dhe familjeve të dëshmorëve, sot është institucionalizuar, sot është vlerë shtetërore që e mban shtetin të fortë, unik, të qëndrueshëm dhe të sigurt edhe për të ardhmen”, u shpreh presidenti Thaçi.

Edhe pse me mjete modeste, kreu i shtetit theksoi se të gjitha ato vajza dhe djem të Kosovës luftuan me shpirt dhe vendosmëri të madhe dhe e arritëm atë të cilën vetëm e kishim ëndërruar.

“Besonim në drejtësi, në luftën tonë, në sakrificën tonë dhe në vlerat perëndimore, prandaj edhe fituam. Dhe këtë fitore duhet ta kujtojmë gjithmonë. Këtë sakrificë duhet ta respektojmë gjithmonë”, shtoi ai.

Në përputhje me kompetencat kushtetuese, presidenti Thaçi i ka dekoruar 66 dëshmorët e Brigadës 125 me urdhrin “Hero i Kosovës”.

Të ngjashme