Presidenti Thaçi niset për në SHBA, do të ketë takime me administratën amerikane

Prishtinë | 23 Shk 2020 | 10:41 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka udhëtuar sot për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të takojë zyrtarë të lartë të administratës amerikane.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë rikthyer vëmendjen në zhvillimet në Kosovë dhe në rajon, duke u angazhuar për arritjen e marrëveshjes përfundimtare të paqes në mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe për t’i hapur rrugë investimeve nga jashtë dhe zhvillimit ekonomik.

Para nisjes për në SHBA, presidenti Thaçi u shpreh se “Kosova është më fat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës ruajnë përkushtimin për Kosovën, për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e Kosovës dhe tërë rajonit”.

“Lidershipi i Presidentit Trump, përkrahja e Sekretarit Pompei dhe angazhimi i drejtpërdrejtë i të Dërguarit Special, ambasadorit Grenell, janë inkurajim për ne”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Jemi të bekuar me miqësinë tonë të përhershme, me raportin tonë special me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shtoi presidenti Thaçi.

Presidenti Thaçi në Washington do të ketë prezantime edhe në dy debate për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, një në Brookings Institute dhe tjetrin në Atlantic Council, si dhe do të ketë takime në think-tanks me ndikim në politikën e jashtme të SHBA-së.

Presidenti Thaçi do të flasë për të arriturat e deritashme, për prioritetet e Kosovës dhe për sfidat e mundësitë në rrugën e integrimit euroatlantik./EO

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme