Presidenti Thaçi takohet sot me Papa Françeskun

Prishtinë | 28 Sht 2017 | 08:20 | Nga

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sot në Vatikan, do të pritet në një audiencë nga Papa Françesku.

Në këtë takim, kreu i shtetit do të falënderojë Atin e Shenjtë për mbështetjen që Vatikani i ka dhënë popullit të Kosovës në periudha të ndryshme dhe rolin e tij në promovimin e paqes në botë.

Numri një i Kosovës do të informojë Atin e Shenjtë për proceset politike në vend, pas krijimit të institucioneve të reja, për reformat e gjithmbarshme në sektorin e ekonomisë, arsimit dhe avancimin e drejtave të njeriut dhe komuniteteve.

Në këtë takim, Thaçi poashtu do të bisedojë me Papa Françeskun për krijimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtim dhe procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që synon përmbylljen e konfliktit shekullor dhe pajtimin ndërmjet dy shteteve dhe popujve.

Pas takimit me Papa Françeskun, ai do të udhëtojë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku në Shtëpinë e Bardhë,ai do të pritet në takim nga zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michael Pence.

Në këtë takim do të diskutohet për tema të ndryshme me interes të të dy shteteve tona. Presidenti Thaçi do të kërkojë vazhdimin e mbështetjes amerikane për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, për zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe procesin e integrimeve euroatlantike.

Presidenti Thaçi do të kërkojë po ashtu përfshirjen e SHBA-së në fazën e fundit të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si një garantues i paqes dhe stabilitetit në rajon.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme