Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ia ka dorëzuar familjes së gazetarit Sulejman Gashi Medaljen Presidenciale të Meritave

Prishtinë | 05 Gus 2022 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ia ka dorëzuar sot familjes së gazetarit Sulejman Gashi Medaljen Presidenciale të Meritave, me të cilën ajo e ka dekoruar z. Sulejman Gashi (pas vdekjes së tij).

Në ceremoninë e organizuar sot, në prani të familjarëve dhe të miqve, Presidentja Osmani theksoi se medalja e ndarë për gazetarin tashmë të ndjerë, Sulejman Gashi, është shprehje e mirënjohjes shtetërore për kontributin e çmuar të cilin z. Gashi, si gazetar e aktivist shumëvjeçar e ka dhënë për dhjetëvjetësha të tërë për shpërndarjen gjithandej të së vërtetës së Kosovës.

Presidentja Osmani theksoi se z. Gashi ka qenë burim i së vërtetës për Kosovën në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe një afirmues i së drejtës së saj për liri.

“Ai ishte zëri i Kosovës. Ne sot po e institucionalizojmë kujtesën për të duke e dekoruar me Medaljen Presidenciale të Meritave për kontributin shumëvjeçar në pasqyrimin e së vërtetës së Kosovës e për të në arenën ndërkombëtare”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Familjarët e z. Gashi, por edhe bashkëpunëtorët e tij të pranishëm në ceremoni shprehën mirënjohje ndaj Presidentes Osmani për kujdesin që po tregon ndaj personaliteteve të cilat kanë kontribuar për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe e falënderuan atë për dekoratën të cilën Presidentja ia ka ndarë z. Gashi.

Të ngjashme