Presidentja Osmani dhe kancelari austriak, flasin liberalizimin e vizave dhe integrimin e Kosovës në BE

Prishtinë | 23 Qer 2021 | 17:33 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani është pritur sot në takim nga kancelari austriak, Sebastian Kurz, i cili ka konfirmuar se do ta përkrahë Kosovën në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Osmani dhe Kurz përmes postimeve në Twitter dhanë pak detaje nga takimi dhe temat e diskutimit.

Kurz shkruan se takimi me Osmanin ishte i mirë, ndërkaq theksoi se dialogu dhe komunikimi i drejtpërdrejtë duhet të jetë themel i stabilitetit në rajon.

“Takim i mirë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Austria do të vazhdojë të përkrahë Kosovën dhe të bëj thirrje për integrim në Evropë dhe të gjithë Ballkanin Perëndimor. Dialogu me komunikim të drejtpërdrejtë duhet të jetë themel i stabilitetit në rajon”, shkruan Kurz.

Edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani përmes Twitter-it ka shkruar në lidhje me këtë takim duke thënë se kancelari austriak është shprehur se do të angazhohet në rrugën e Kosovës drejt Evropës.

“Kënaqësi të takoj kancelarin Sebastian Kurz, i cili u shpreh se do të angazhohet në rrugën evropianë të Republikës së Kosovës. Theksova potencialin që ka vendi ynë dhe urgjencën e liberalizimit të vizave dhe pozicionin tonë në dialog. Presim që të punojmë me miqtë tanë austriak”, shkruan Osmani.

Të ngjashme