Presidentja Osmani: Sfidat janë të shumta, duhet të bëhemi bashkë pozitë e opozitë

Prishtinë | 04 Pri 2021 | 20:08 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu në fjalimin e saj para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, menjëherë pasi u zgjodh në këtë pozitë, tha se sot është “ditë e Kosovës dhe demokracisë së saj”, duke shtuar se ky post e vesh atë me përgjegjësi të madhe, raporton Ekonomia Online.

“Sot është dita kur vullneti juaj (i qytetarëve) i shprehur me 14 shkurt po jetësohet”, tha ajo.

Në pjesë të fjalimit të saj Osmani-Sadriu, ua kushtoi vajzave dhe grave të Kosovës.

“Vajzat e kanë vendin vetëm aty ku ato vetë dëshirojnë, aty ku ato çdo natë ëndërrojnë, aty për çka punojnë me zell. Pa marrë parasysh nëse ëndërroni të bëheni presidente, juriste, ndërmarrëse, police, ushtare apo çdo profesion tjetër, që ua do zemra, mos e ndalni hapin tuaj kurrë, çdo gjë është e mundur e çdo ëndërr e juaja mund të bëhet realitet dhe për këtë duhet të besojmë bashkë fort. Do t’ju mbështes me gjitha mundësitë që kam e me gjithë qenien time”, tha Osmani.

Presidentja u bëri thirrje politikanëve në Kosovë, që të ndërtojnë kulturën politike të bashkëpunimit dhe tolerancës. “Nuk janë kohë të lehtë, sfidat janë të shumta veçanërisht ajo me pandeminë e cila kërkon që të bëhemi bashkë për ta luftuar”, tha Osmani.

Ajo u zotua se do të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e vendit.

“Sot zotohem para jush se do të punojë çdo ditë ta forcojë shtetin tonë, republikën e Kosovës, sundimin e ligjit, të garantojë mbrojtjen e lirive themelore njerëzore dhe jetës së dinjitetëshme për të gjithë. Sot zotohem se do ta mbrojë çdo pëllëmbë të Kosovës dhe do të angazhohemi pa kursim për të garantuar pacenueshmërinë e integritetit territorial institucional dhe sovranitetit të vendit”, tha Osmani.

Të ngjashme