Osmani udhëton në Slloveni, merr pjesë në takimin e Bërdo-Brione

Prishtinë | 11 Sht 2022 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, krahas presidentëve të shteteve të rajonit do të marrë pjesë në takimin e 11-të të procesit Bërdo-Brione.

Temat të cilat do të diskutohen në këtë takim përfshijnë perspektivën e integrimit evropian për vendet aspiruese të Ballkanin Perëndimor, të cilat i përmbushin kushtet për integrim dhe të cilat i bashkërendojnë politikat me ato të Bashkimit Evropian, tejkalimin e sfidave të përbashkëta si pasojë e agresionit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë, përfshirë krizën energjetike dhe sigurinë ushqimore; si dhe përkushtimin për demokraci, paqe dhe dialog.

Presidentja Osmani do t’i paraqesë qëndrimet e Republikës së Kosovës lidhur me temat që do të trajtohen në këtë proces, përfshirë thirrjen për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si dhe avancimin e rrugës euroatlantike të vendit tonë.

“Takimi i Procesit Bërdo-Brione do të mbahet në Bërdo afër Kranjit në Slloveni nën udhëheqjen e presidentit të Sllovenisë Borut Pahor dhe presidentit të Kroacisë, Zoran Milanović”, thuhet në kumtesën e Zyrës së Presidencës, dërguar mediave.

Të ngjashme