Presidentja Osmani takoi kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara, Nancy Pelosi

Prishtinë | 29 Pri 2022 | 14:13 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, është pritur sot në takim nga kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi.

Presidentja Osmani falënderoi Kryetaren Pelosi për mbështetjen e saj ndaj Kosovës për dekada me radhë, e sidomos në kohën kur Kosova kishte më së shumti nevojë përgjatë procesit të arritjes së lirisë e shtetësisë. Ajo theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aleati dhe partneri më strategjik i Republikës së Kosovës dhe e njoftoi Kryetaren Pelosi për rreshtimin e qartë të Kosovës me politikat amerikane, në veçanti sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe mbështetjes ndaj Ukrainës. Presidentja Osmani shprehu mirënjohjen për përkushtimin e vazhdueshëm të Kryetares Pelosi për t’i përafruar tutje dy vendet tona edhe sot kur kontinenti ynë po ballafaqohet me një kohë sfiduese dhe kur vlerat tona të përbashkëta demokratike dhe paqedashëse janë nën kërcënim. Ajo po ashtu potencoi rëndësinë e avancimit të rrugës euro-atlantike të Kosovës, tani që sfidat e sigurisë të krijuara nga regjimet autokratike janë gjithnjë e në rritje.

Gjatë takimit, Presidentja Osmani dhe Kryetarja Pelosi diskutuan për forcimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat e interesit të përbashkët, si dhe për mundësitë për thellim të bashkëpunimit për t’i kapërcyer sfidat e përbashkëta në rajon dhe arenën ndërkombëtare.

Në fund të takimit, Presidentja Osmani ftoi Kryetaren Pelosi që ta vizitojë Kosovën, duke e vlerësuar se një vizitë e tillë do kontribuonte edhe më tej në avancimin e raporteve të shkëlqyeshme e të veçanta ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

Të ngjashme