Presidentja Osmani vazhdon vizitën në Amerikë Latine, nga Panamaja në Kosta Rikë

Prishtinë | 07 Maj 2022 | 11:12 | Nga Ekonomia Online

Presidentja Vjosa Osmani gjendet për vizitë zyrtare në Amerikën Latine ku ka qëndruar në shtetin e Panamasë ndërkaq sot ka udhëtuar për në Kosta Rikë.

Zyra e Presidencës në një komunikatë për media ka njoftuar se e para e shtetit do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës raporton Gazeta Express.

“Me ftesë të Presidentit Carlos Alvarado Quesada, Presidentja Osmani do të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit të ri të zgjedhur të Kosta Rikës, Rodrigo Chaves. Gjatë vizitës në San José, Presidentja do të takojë udhëheqësit shtetëror të Kosta Rikës, Presidentin e zgjedhur Chaves si dhe do të realizojë takime bilaterale me krerë të shteteve tjera”, thuhet në njoftim.

Tutje zyra e presidentes njofton se shefja e shtetit në Amerikën Latine po e promovon potencialin ekonomik të Kosovës.

“Gjatë vizitës zyrtare në Panama dhe vizitës aktuale në Kosta Rika, Presidentja Osmani po realizon një sërë aktivitetesh për të promovuar potencialin ekonomik të Kosovës, për të thelluar marrëdhëniet miqësore me shtetet mike në Amerikën Latine, si dhe për të rritur mbështetjen për anëtarësim në organizata ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme