Pretendojnë se janë viktima të Salih Mustafës: Tre shqiptarë pritet të kërkojnë dëmshpërblim nga Kosova

Prishtinë | 01 Kor 2022 | 10:50 | Nga Ekonomia Online

Procesi gjyqësor ndaj Salih Mustafës – “Komandant Cali” në Gjykatën Speciale po e prek ngadalë fundin, me mbrojtjen që më 27 maj ka përfunduar paraqitjen e provave para gjykatës, teksa verdikti pritet të shpallet deri në fund të këtij viti.

Vijueshmëria e gjyqit ndaj “Calit” ka ndërthurur në vete edhe pjesëmarrjen e viktimave të pretenduara në këtë proces, shkruan lajmi.net.

Bazuar në një vendim të mëhershëm, të marrë nga Trupi Gjykues, tri viktima të pretenduara të këtij rasti tashmë i kanë hyrë rrugës për të kërkuar dëmshpërblim me para për dëmet materiale dhe humbjet ekonomike të pësuara.

Avokati i viktimave para disa ditësh ka dërguar tek Trupi Gjykues raportin e eskpertit, doktorit Stefan Lerz për tre persona, të kategorizuar si viktima nën pseudonimet “Viktima 08/05”, “Viktima 09/05” si dhe “Viktima 10/05”.

Ky raport, parimisht ka të bëj me “humbjet ekonomike” të viktimave të pretenduara të lartëpërmendura, të shkaktuara nga veprimet e të akuzuarit Salih Mustafa, të cilat janë përshkruar në aktakuzën ndaj tij e cila u përpilua nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Raporti në fjalë, do t’i hyjë në punë edhe Trupit Gjykues në marrjen e vendimit final.

“Në bazë të Vendimit 1 të Trupit Gjykues I të datës 1 qershor 2022, avokati i viktimave dorëzon raportin e marrë nga eksperti Dr Stefan Lerz. Ai është mandatuar për të llogaritur dëmet materiale dhe humbjet ekonomike të pësuar nga viktimat e supozuara direkte në rastin konkret Viktimat 08/05, 09/05 dhe 10/05. Mbrojtësi i viktimave i ka ofruar ekspertit raportet mjekësore për viktimën 08/05 dhe 09/05; Sekretaria ka transferuar gjithashtu transkriptin e dëshmisë në Gjykatë të V 10/05. Raporti është dhënë në Aneksin 1 si dosje konfidenciale pasi përmban informacion të mbrojtur”, thuhet në raportin që e ka parë lajmi.net.

Kush janë “viktimat 08-09-10/05?”

“Viktima 08/05” dhe “Viktima 09/05” janë dy persona të nacionalitetit shqiptar.

Bazuar në raportet e mëhershme të pjesëmarrjes së viktimave në procedurë, ata pretendojnë se janë viktima të drejtpërdrejta të ndalimit të paligjshëm, trajtimit mizor dhe torturës në kompleksin e paraburgimit në Zllash brenda periudhës që përshkruhet në aktakuzë.

Ata pretendojnë se kanë pësuar dëmtim mendor e fizik.

“Viktima 10/05” është gjithashtu i nacionalitetit shqiptar.

Në raportin e tretë mbi pjesëmarrjen e viktimave, ai ishte shprehur se kishte pësuar dëm të madh nga ndalimi i paligjshëm, trajtimi mizor dhe tortura në kompleksin e paraburgimit në Zllash.

Ai pretendonte se ka pësuar dëmtime fizike, mendore dhe materiale.

Si kompensohen viktimat e krimit? – Letra e Ministres Albulena Haxhiu.

Para pak muajsh, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i kishte sqaruar Gjykatës Speciale rregullativat ligjore që kanë të bëjnë me Fondin e Kompensimit të Viktimave, veprat penale të kompensueshme, kushtet për kompensim, llojet e kompensimit, kërkesën për kompensim, afatet si dhe vendim-marrjen nga Komisioni për kompensim.

Në letër-përgjigjen që mbanë nënshkrimin e ministres Haxhiu, specifikohen veprat penale të cilat mund të kompensohen në këtë rast, në të cilat përfshihen: vrasja, trafikimi me njerëz, dhunimi, keqpërdorimi seksual i fëmijëve, si dhe veprat penale që bien në përkufizimin e dhunës në familje sipas Ligjit për Mbrojtjen nga dhuna në familje.

Haxhiu në letrën e saj të cilën e ka parë lajmi.net, citon një nen ku thuhet se Komisioni mund të shqyrtojë dhe vendosë për kërkesat e pranuara nga personat të cilët pretendojnë se janë viktima të veprave tjera të dhunshme të cilat për shkak të natyrës dhe pasojës mund të arsyetojnë kompensimin.

Në këtë kontekst, ministrja në letrën e saj ka thënë se lista e lartëpërmendur e veprave penale për të cilat mund të kërkohet kompensim nuk është absolute, dhe se me një vendim të Komisionit mund të kompensohen edhe personat të cilët janë viktima të veprave tjera penale.

Haxhiu ia ka nënvizuar gjyqtares edhe llojet e kompensimeve, ku përfshihen ato nga lëndimet e rënda fizike, çrregullimet e shëndetit mendor, humbja e aftësisë për punë, shpenzimet mjekësore, shpenzimet e varrimit, dëmet për pajisjet mjekësore të shkatërruara si dhe shpenzimet procedurale.

Tutje, ministrja ia ka sqaruar gjyqtares së Speciales se Fondi për Kompensimin e Viktimave i përcaktuar me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës është i vetmi fond për kompensimin e viktimave të krimit, ndërkaq që Komisioni Qeveritar për Kompensim të Viktimave të Krimit është mekanizmi që shqyrton dhe vendos për kërkesat e mundshme.

Haxhiu sqaron se viktima e pretenduar, kërkesën duhet ta dorëzojë personalisht në Ministrinë e Drejtësisë.

Komisioni i përmendur nga Haxhiu merr vendim brenda 90 ditës për një kërkesë të tillë.

Letra në fjalë e Haxhiut, e cila ishte përgjigje në kërkesën e gjyqtares së Speciales, Mappie Veldt – Foglia, e cila është kryetare e Trupit Gjykues në rastin e Salih Mustafës.

Sidoqoftë, sipas Ligjit në fuqi, për ta fituar të drejtën e kompensimit, një person i pretenduar si viktimë duhet t’i plotësojë disa kritere.

Ligji specifikon që për veprën penale, e cila ka rezultuar në dëm ndaj viktimës, të jetë paraparë dënimi me minimum një vit burg.

Gjithashtu, Ligji specifikon që vepra penale duhet të jetë kryer në territorin e Republikës së Kosovës, të jetë zbuluar dhe raportuar te autoriteti kompetent dhe të jetë trajtuar si vepër penale, të mos jetë kryer nga pakujdesia, të ketë rezultuar në vdekjen e viktimës, lëndim të rëndë trupor, dëmtim të rëndë të shëndetit fizik apo çrregullim të rëndë të shëndetit mendor, të ketë rezultuar në dëmtim tjetër të përcaktuar me këtë Ligj si dhe viktima e krimit të mos ketë mundësi të realizimit të kërkesës për kompensim nga sigurimi shëndetësor apo burime tjera.

Nëse vepra penale për të cilën kërkohet kompensim sipas këtij Ligjit rezulton në vdekjen e viktimës, vartësit e viktimës mund të gëzojnë të drejtat e parapara me këtë Ligj.

Ndryshe, Salih Mustafa ishte komandant i njësitit gueril “BIA” i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e pretenduara të kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në Gollak.

Të ngjashme