Prezantohet strategjia për mbrojtje nga dhuna familjare

Prishtinë | 18 Kor 2017 | 14:21 | Nga

Zëvendësministri i Ministrisë së Drejtësisë, Munir Basha, mori pjesë në Tryezën e rrumbullakët ndërkomunale për prezantimin e Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Mbrojtje nga Dhuna në Familje 2016-2020, e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë. Në takim morën pjesë, Irene Scinto, Zyrtare për të drejta të njeriut dhe demokratizim, Misioni i OSBE-së në Kosovë, Lumnije Shllaku, Zyra komunale për barazi gjinore, Komuna e Gjakovës, si dhe përfaqësues të qendrave për punë sociale komunale, etj.

Tryeza e rrumbullakët ka për qëllim paraqitjen e Strategjisë dhe diskutimin e saj lidhur me hapat dhe mënyrat për ta rritur zbatim sa më efektiv të saj në nivel lokal.

Duke e prezantuar Strategjinë, para të pranishmëve, Zëvendësministri Basha tha, “si pjesë përbërëse e Planit për Zbatimin e Programit e Qeverisë 2015-2018, kjo Strategji e zëvendëson pikërisht Programin e mëparshëm 2011-2014 dhe formulimi i saj mbështetet kryesisht në rezultatet dhe rekomandimet e dhëna nga vlerësimet që iu bënë këtij programi, gjatë vitit 2015, si edhe në punën profesionale të të gjitha palëve pjesëmarrëse të përfshirë në këtë proces, me theks të veçantë në luftën kundër kësaj dukurie”.

Tutje, duke e cekur qëllimin dhe rëndësinë e kësaj Strategjia, Basha theksoi, “Strategjia ka për qëllim parandalimin e dhunës në familje, fuqizimin e mekanizmave ekzistues dhe themelimin e mekanizmave të rinj për reagim të shpejtë për mbrojtjen dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje”.

“Parandalimi dhe vetëdijesimi, Mbrojtja dhe koordinimi, Legjislacioni, hetimi dhe procedimi, Rehabilitimi dhe riintegrimi, përmes këtyre objektivave strategjike, Strategjia Kombëtare adreson çështjen e përmirësimit të infrastrukturës ligjore dhe ngritjes se efikasitetit të trajtimit të rasteve të dhunës në familje, me fokus në nevojat e viktimës, si dhe ndëshkimi adekuat i kryesit të dhunës”, tha Basha.

Në fund të takimit, Zëvendësministri Basha, duke i falënderuar të pranishmit, kërkoi bashkëpunim e të gjithë akterëve, në mënyrë që kjo strategji të zbatohet edhe në praktikë. Njëkohësisht, z Basha, i siguroi se Ministria e Drejtësisë mbetet plotësisht e angazhuar dhe e përkushtuar për të krijuar një ambient ku të gjithë qytetarët e saj ndihen të lirë dhe të barabarte para ligjit.

Të ngjashme