Prindon Sadriu kërkon 25 mijë euro nga ish-ministri Abelard Tahiri për shpifje

Prishtinë | 10 Shk 2022 | 15:02 | Nga Ekonomia Online

25 mijë euro është shuma që Prindon Sadriu, shef i Misionit Diplomatik të Kosovës në Maqedoninë e Veriut, po i kërkon nga Abelard Tahiri, ish-ministër i Drejtësisë dhe aktualisht deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), përmes padisë për shpifje.

Në padinë e ushtruar në maj të vitit 2020, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Abelard Tahiri, në emisionin “Argument Plus”, kishte thënë se bashkëshorti i ish-kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, është emëruar kundërligjshëm si “konsull” në Maqedoninë e Veriut dhe se i njëjti i ka shpëtuar shkarkimit për shkak të lidhjeve politike.

Lidhur me këtë rast, ende nuk është caktuar të mbahet seancë gjyqësore.

Një gjë të tillë, për “Betimi për Drejtësi”, e ka konfirmuar gjykatësi i rastit, Alajdin Tërshnjaku.

Përmes padisë së ushtruar më 18 maj 2020, paditësi Prindon Sadriu po kërkon nga i padituri Abelard Tahiri shpërblimin e dëmit në vlerë prej 25 mijë euro për shkak të shpifjes.

Në padi thuhet se i padituri më 21 shkurt 2020, në cilësi të mysafirit në emisionin “Argument Plus”, në Radio Televizionin 21, duke u deklaruar për shkarkimet e përfaqësuesve diplomatik të bëra nga ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ndër të tjera ka deklaruar “… me lidhje familjare besoj që ka shku edhe bashkëshorti i Kryetares së Kuvendit që sot e kemi në mënyrë po ashtu të njëjtë të emëruar si konsull në Maqedoni që është dhe pse ministri i jashtëm e përjashtoj atë, nuk e sjelli, nuk e largoi edhe ata nga pozicioni i tij çfarë e ka. Më erdh mirë shumë që i ka sjell ata që kanë shku në mënyrë të paligjshme, mirëpo nuk duhet mbi baza politike. Ai i amnistoi njerëzit, i amnistoi njerëzit që lidhen, që kanë të afërm të LDK-së, siç është rasti konkret, burri, bashkëshorti i Kryetares së Kuvendit zonjës Vjosa Osmanit, që në mënyrë po ashtu të jashtëligjshme është dërguar sikur këta tjerët, mirëpo atë e kemi duke shërbyer”.

Më tutje në padi thuhet se është e vërtetë se paditësi është përfaqësues diplomatik i Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut, i cili është emëruar më 15 korrik 2019, mirëpo emërimi i tij nuk është bërë në mënyrë të kundërligjshme. Emërimi i tij si ministër në këtë shtet thuhet se është bërë në përputhje me legjislacionin e Kosovës, konkretisht Ligjit për Shërbimin e Jashtëm si dhe Rregullores për Shërbimin e Jashtëm.

Në padi thuhet se me vet faktin që i padituri i është referuar tani paditësit si “konsull” dhe se i njëjti nuk është shkarkuar për shkak të lidhjeve politike, tregon shumë qartë se deklarata e tij është e pavërtetë dhe se i njëjti e ka ditur që publikut është duke i paraqitur fakte të rreme ndaj tani paditësit, duke i shkaktuar atij dëmtim të reputacionit si dhe vuajtje psikike.

Bazuar në padi, paditësi më 2 prill 2020, përmes postës elektronike i është drejtuar të paditurit me kërkesë për kërkim falje dhe për demantim të shpifjes që e ka bërë përmes mediumit televiziv, mirëpo i padituri nuk është përgjigjur dhe nuk ka vepruar konform kësaj kërkese.

Tutje, aty thuhet se deklarata shpifëse e të paditurit është bërë përmes një mediumi dhe kjo nënkupton që numri i personave të cilët kanë pasur qasje ka qenë jashtëzakonisht i madh, ashtu që tani paditësit i është dëmtuar reputacioni i tij.

Paditësi padinë e ka mbështetur në Ligjin Civil kundër Shpifjes dhe Fyerjes, konkretisht në nenin 3 pika (a) dhe (e), nenin 4 paragrafin 1 dhe 2, nenin 5 paragrafin 1, neni 14 paragrafi 1, dhe në nenin 16 të këtij ligji, në Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve konkretisht në nenin 136, 137, 140, 183 të këtij ligji, si dhe në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, respektivisht në nenin 36 dhe nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Andaj, paditësi me anë të kësaj padie po kërkon nga gjykata që të detyrohet i padituri që atij në emër të shpërblimit të dëmit jo material për dëmtim të reputacionit dhe për shkak të vuajtjeve psikike t’ia paguaj shumën e përgjithshme prej 25 mijë euro, të gjitha këto me kamatë ligjore prej 8%, prej momentit të shkaktimit të dëmit e deri në realizimin e tërësishëm të kërkesëpadisë.

Po ashtu, kërkohet që të detyrohet i padituri që deklaratën e tij shpifëse të bërë më 21 shkurt 2020, në RTV 21, ta përgënjeshtrojë në të njëjtin medium, në të njëjtën formë të transmetimit dhe njëkohësisht të kërkoj falje si dhe t’i ndalohet të njëjtit që të përsërisë deklarata apo publikime të ngjashme, si dhe shpenzimet gjyqësore dhe shpenzimet e avokatit.

Tahiri e ka kontestuar padinë e paditësit me përgjigjen në padi të dhënë në maj të vitit 2021, me arsyetimin se në bazë të Ligjit për Shpifje dhe Fyerje, si dhe në bazë të praktikës së Strasburgut, pala paditëse nuk ka të drejtën e kompensimit në bazë të padisë së paraqitur, pasi që të njëjtat thuhet se janë të ndaluara në bazë të nenit 3.3 të Ligjit për Procedurën Kontestimore.

Po ashtu në përgjigje në padi thuhet se në rastin konkret, i padituri ka shprehur një opinion i cili nuk dëmton të drejtat e palës paditëse dhe është temë me interes publik.

Andaj, ky opinion thuhet se është në kuadër të lirisë së palës së paditur për tu shprehur në mënyrë të lirë, pa pasur pasoja juridike dhe kufizime sipas kushtetutës dhe ligjit.

“Betimi për Drejtësi” ka provuar të kontaktojë me ish-ministrin Tahiri lidhur me këtë padi të ushtruar ndaj tij, por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme