Pritet dorëheqja e ministres Donika Gërvalla, MPJ do i besohet njeriut të Vetëvendosjes

Prishtinë | 31 Kor 2021 | 14:18 | Nga Ekonomia Online

Kryediplomatja kosovare, njëherit liderja e Listës “Guxo”, Donika Gërvalla – Schwarz, pritet të largohet nga kjo pozitë në Qeverinë Kurti II.

Pakënaqësitë ndaj saj si kryediplomate mësohet se janë tepër të mëdha dhe ka muaj që është negociuar me të dhe me Listën “Guxo” për largimin e saj nga Ministria e Jashtme.

Demokracia.com nga burime të afërta me Qeverinë Kurti II ka mësuar se largimi i kryediplomates Gërvalla-Schwarz nga MPJ do të ndodhë pas fillimit të lëvizjeve brenda Qeverisë dhe shpalljes së disa kandidaturave për kryetarë komunash nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Donika Gërvalla do të japë dorëheqje nga pozita e saj si Ministre e Jashtme dhe do të mbetet vetëm zëvendëskryeministre. Në vend të saj do të emërohet zëvendësministri aktual i MPJ-së, Kreshnik Ahmeti”.

Tashmë mësohet se është arritur kompromisi i ri politik dhe Listës “Guxo” do t’i jepet Ministria e Shëndetësisë, të cilën pritet ta udhëheqë Haxhi Avdyli, ndërsa Ministrinë e Jashtme do ta marrë Lëvizja Vetëvendosje.

Gërvallës mësohet se i është ofruar edhe pozita e Ambasadores së Kosovës në Gjermani, veçanërisht pas hezitimeve të Gjermanisë për ta pranuar si ambasador njeriun e afërt të saj, Hafiz Gagicën, por ajo nuk e ka pranuar.

Sipas këtij burimi, Gagica thuhet se nuk ka qenë i pranueshëm për shtetin gjerman, pasi që ka qenë pjesë e Fondit të 3 për qind, i cili një kohë të gjatë ka qenë nën llupen e hetuesve të këtij shteti.



Të ngjashme