Problemet kryesore të të rinjve mungesa e bursave dhe këndet e leximit

Prishtinë | 31 Jan 2018 | 14:23 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Instituti Demokraci për Zhvillim organizoi konferencën përmbyllëse të projektit “Pjesëmarrja e rinisë: Vendos për demokraci”, përkrahur nga National Endowment for Democracy –NED.

Ky projekt ka përfshirë identifikimin e problemeve për këto komuna: Gjilani, Mitrovica, Peja, Prishtina dhe Prizreni, raporton Ekonomia Online.

Gjatë vitit 2017, D4D ka mbajtur konsultime me të rinjtë nga Komuna e Gjilanit, Mitrovicës, Pejës, Prishtinës dhe Prizrenit, me qëllim të identifikimit të nevojave dhe prioriteteve të tyre kryesore brenda komunave ku jetojnë.

Paralelisht me takimet e të rinjve, D4D ka takuar edhe zyrtarë të lartë të partive politike për të avokuar për përfshirjen e temave të këtij manifesti në platformat dhe programet e partive politike.

Ferid Murseli, menaxher i projektit (D4D), tha se identifikimi i këtyre problemeve nga të rinjtë është bërë që tu ofrohet zgjidhje në koordinim me kryetarët e komunave.

“Në janar të vitit të kaluar ka filluar projekt për vedijësimin e të rinjve për procesin zgjedhor. D4D me këta të rinj ka identifikuar problemet dhe të gjitha këto i kanë prezantuar tek kandidatët për kryetar të komunave që këtyre problemeve të ju ofrohet zgjidhje për këto”.

Blerina Ukshini, nga D4D, në prezantimin e manifestit të të rinjve, tha se ky dokument është punuar për 1 vite nga këto komuna.

Problemet kryesore në këto komuna sipas raportit janë mungesa e këndeve për lexim, mungesa e bursave komunale dhe rreziku nga qentë endacakë.

“Është dokument qe kemi punuar 1 vite nga këto komuna. Përmban identifikimin e problemeve direkte dhe indirekte. Qëllimi i dokumentit me i sjell të rinjtë më afër liderëve të komunave të tyre. Problemet të cilat kanë identifikuar të rinjtë në qytetet e tjera janë: mungesa e këndeve të leximit, mungesa e bursave komunale dhe rreziku nga qentë endacakë”.

Eshref Memaj, nënkryetar i komunës së Prizrenit, pohoi se rinia e Prizrenit i ka dyert e hapura në komonë për të identifikuar problemet kryesore me të cilat ballafaqohen ata.

Po ashtu ai tha se mosfunksionalizimi i shoqërisë kulturore “Agimi” dhe mungesa e infrastrukturës në kalanë e Prizrenit do të zgjidhen si probleme.

“Shoqëria kulturore artistike ‘Agimi’ duhet të jetë kryerje të aktivitete të saj, janë krijuar dy grupe, dhe kam kërkuar ti neutralizojnë këto grupe që ta krijojnë një kryesi të mirëfilltë që të dimë ku ti adresojmë subvencionet. Mungesa e infrastrukturës në kalanë e Prizrenit, kalaja është e frekuentuar, rruga nuk i plotëson kriteret, është tenderuar rruga dhe pushimoret por për fat të keq punimet nuk janë kry punimet te kalaja lartë dhe rruga nuk mund të lëshohet”.

“Planet konkrete për rininë gjatë mandatit tonë, rinia e Prizrenit do të jetë bashkëpunuese me ne, do të identifikojmë problemet dhe do kenë kohën e hapur dhe të kenë qasje në komunë, në çdo kohë jam në gjendje të bashkëpunojë me ta për problemet e komunës së Prizrenit”.

Tafil Peci, drejtor i drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Mitrovicës, u shpreh se Mitrovica është qyteti i vetëm i Kosovës i cili ka dal nga lufta i ndarë.

Ai tha se 80% e objekteve infrastrukturore për të cilat Mitrovica nuk mund të vendos dhe ti shfrytëzojë ndodhen matanë lumit Ibër, raporton EO.

“Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport mbështet organizata të ndryshme jo qeveritare dhe krijon infrastrukturë që t’i kryejnë aktivitetet në mënyrën më të mirë të mundshme. Specifikat e qytetit të Mitrovicës ndryshojnë, sepse Mitrovicë qyteti i vetëm ka dal nga lufta e ndarë, 80% të objekteve infrastrukturore janë matanë lumit Ibër të cilat ne nuk i shfrytëzojmë dhe nuk i menaxhojmë. Si plan konkret i kemi disa politika kryesorë, avancimi i infrastrukturës rinore, krijimi i mundësive dhe punësimi i të rinjve, edukimi dhe parandalimi për vetitë e të këqija të të rinjve”.

Engelbert Zefaj, drejtor i drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Pejës, tha se mungesa e hapësirave për lexim nuk qëndron, sepse sipas tij ka hapësira të mjaftueshme por që nuk shfrytëzohen nga nxënësit.

“Ka mjaftueshëm hapësira për lexim të të rinjve, ekziston mundësia që nuk është bibliotekë që i përmbush kriteret e të rinjve, por jemi duke u dakorduar për një bibliotekë më e mirë. Hapësirë të mirë ka për lexim, janë kushte modeste, të ngrohta, dhe ato janë 0 të shfrytëzueshme nga nxënësit.

Yll Rugova, drejtor i drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Prishtinës, duke mos specifikuar projekte tha se mënyra më e mirë për të përfshirë rininë në vendimmarrja në komunën e Prishtinës është formimi i një strategjie për forcimin e angazhimit rinor.

“Një prej mënyrave për me përfshi rininë është përmes përpilimit të një strategjie që do trajtojë çështjet e veçanta. neve na duhet një strategji qysh me forcuar angazhimin rinor në vendimmarrjen në komunë”.

Genc Mustafa, nga komuna e Gjilanit, tha se kjo komunë po bënë përpjekje për të mbështetur sektorin e rinisë duke themeluar njësinë për rini dhe objektin “ Shtëpia e Rinisë”.

“Komuna e Gjilanit ka bërë përpjekje të mbështesë sektorin e rinisë, duke bërë themelimin e njësisë për rini dhe ndërtimin e objektit ‘Shtëpia e Rinisë’. Pikat kryesore që do merret komuna e Gjilanit për rininë është  integrimi i të rinjve dhe zhvillimi i ndërmarrësisë dhe inovacionit”.

Të ngjashme