Procedohet për Kuvend Marrëveshja për Kufirin mes Kosovës dhe Malit të Zi

Prishtinë | 09 Gus 2016 | 14:13 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në mbledhjen e Komisionit për Punë të Jashtme, të kryesuar nga deputeti Elmi Reçica, kryetar, u shqyrtua Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Gjatë shqyrtimit të projektligjit, Reçica tha se duke pasur parasysh dokumentet paraprake mbi të cilat është bërë pavarësia e Kosovës, deklarata e pavarësisë më 17 shkurt 2008, Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome e Kosovës, opinioni këshillëdhënës i GJND-së për pavarësinë e Kosovës, është propozuar ky projektligj për ratifikim në Kuvend.

Sipas tij, duke pasur parasysh interesin e veçantë të Kosovës dhe ndërtimin e raporteve për marrëdhënie të mira, në veçanti me shtetet fqinje, është duke u punuar që të përmbyllet kjo çështje, e cila sipas tij është edhe obligim ndërkombëtar i Republikës së Kosovës dhe ndihmon në konsolidimin e mëtejmë të shtetësisë.

Anëtarja e Komisionit Puhie Demaku, duke kundërshtuar këtë projektligj, kërkoi që t’i kthehet Qeverisë e cila e ka proceduar për miratim në Kuvend. “Nëse e kalojmë këtë projektligj, bëhemi bashkëpjesëmarrës të krimit”, tha ajo. Edhe deputeti Zafir Berisha shprehu qëndrimin kundër këtij projektligji për procedim në Kuvend.

Ndërsa, anëtari i Komisionit, deputeti Ismet Beqiri, duke u shprehur pro projektligjit për procedim në seancë, tha se kjo çështje është dashur që të përfundojë shumë kohë më parë, duke shtuar se procedimi i këtij projektligji ka bazë ligjore.

Të pranishëm në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, deputetët Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi, Driton Çaushi, Ismail Kurteshi, Shaip Muja dhe Pal Lekaj, theksuan arsyet e kundërshtimit të kësaj marrëveshje.

Më pas, deputeti Driton Çaushi ka hedhur gaz lotsjellës në sallën e mbledhjes, në momentin kur pritej të hidhej në votim kjo çështje. Megjithatë, përkundër situatës së krijuar, ky projektligj u hodh në votim dhe u përkrah me 6 votat e anëtarëve të Komisionit, deputetë nga radhët e pozitës.

Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme kryetari Elmi Reçica përshëndeti fitoren e Majlinda Kelmendit në Lojërat Olimpike 2016 të mbajtura në Rio të Brazilit, duke ftuar institucionet e Kosovës që t’i organizojnë asaj një pritje të veçantë gjatë kthimit në Kosovë.

Të ngjashme