Profesori i UP-së del në rrugë me studentët për të mbledhur nënshkrime për partinë

Prishtinë | 10 Qer 2020 | 14:49 | Nga Ekonomia Online

Për më shumë se një javë aktivistë e anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje po dalin nëpër sheshet kryesore të qyteteve të Kosovës, ku po kërkojnë nënshkrimin e një peticioni për zgjedhje. Pjesë e kësaj është bërë edhe deputeti i VV’së, Fitim Uka, njëherit profesor në Universitetin e Prishtinës, e që siç duket i janë bashkuar edhe studentët e tij, shkruan Gazeta Metro.

Aktivistë të VV-së sheh thuajse në secilën pjesë të Prishtinës, por edhe qyteteve të tjera. Ata përmes peticionit “Duam Zgjedhje”, po kërkojnë që qytetarët të dalin të votojnë sërish, shkruan Metro.

Përmes një njoftimi të bërë ditë më parë në media, nga kjo parti u tha se më shumë se 150 mijë qytetarë të Kosovës kanë nënshkruar që vendi të shkojë sërish në zgjedhje.

Sidoqoftë, pjesë e këtij peticioni është bërë edhe deputeti i VV’së, Fitim Uka. I njëjti, po i fton edhe studentët e tij për ndihmë në këtë nismë të kësaj partie, shkruan Gazeta Metro.

Në një fotografi të publikuar në llogarinë e tij personale, profesori i Universitetit të Prishtinës shihet bashkë me studentë të tij duke kërkuar nënshkrime.

“Duam zgjedhje”, ka shkruar Uka përkrah fotografisë, e cila shihet se është bërë në hyrje të kampusit të UP’së.

Edhe lideri i VV-së, ish-kryeministri Albin Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin të nënshkruajnë në mënyrë që të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme, shkruan Gazeta Metro.

Kujtojmë se Qeveria Kurti është shkarkuar nga Kuvendi i Kosovës më 82 vota për pas mocionit të iniciuar nga ish-partneri i tyre në koalicion, LDK.

Kjo e fundit, e drejtuar nga Isa Mustafa javën që lam pas formoi Qeverinë e re me AAK’në dhe Nismën, në krye me Avdullah Hotin, e cila u votua më 61 vota për, 24 kundër dhe 2 abstenime.

Të ngjashme