Profili i Nasuf Bejtës, kundërkandidatit të Vjosa Osmanit për President

Prishtinë | 02 Pri 2021 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Të dy kandiduan në të njëjtën listë për tu bërë deputetë të Kuvendit të Kosovës, e tani janë në garë për të marrë pozitën e të parit të shtetit.

Vjosa Osmani e Nasuf Bejta nga Lista “Guxo”, kishin kandiduar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Ndërkaq sot Nasuf Bejta ka konfirmuar se është kundërkandidat i Vjosa Osmanit për të parin e shtetit.

Por, kush është Nasuf Bejta?

Nasuf Bejta u lind më 03 nëntor 1960 në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë.

Shkollën fillore e kreu në Smrekonicë, ndërsa të mesmen në Gjimnazin “Muharrem Bekteshi” në Vushtrri. Studimet universitare i kreu në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike në Universitetin e Prishtinës.

Është inxhinier i diplomuar me përvojë 32 vjeçare në arsim, dhe aktualisht punon si mësimdhënës në SH.M.T. “Lutfi Musiqi” në Vushtrri.

Është njëri ndër themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh edhe kryetar i kuvendit të nëndegës Smrekonicë, anëtar i kryesisë qendrore nga dega në Vushtrri në dy mandate, deri në vitin 2007 kur dha dorëheqje të parevokueshme për shkak të konfrontimeve dhe politikave që po e dëmtonin Kosovën. Ka qenë bashkëpunëtor civilo-ushtarak gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Nasufi do të përqendrohet që të shtyjë përpara çështje që do e përmirësonin jetën e qytetarit, me fokus të posaçëm në qytetin e Vushtrrisë, në fshatin Smrekonicë, si dhe në zonën e qytetit të Mitrovicës. Ai i mbështet politikat që avancojnë çështjet në fushën e arsimit, energjisë dhe Telekomit, si dhe asaj të mirëqenies sociale.

Nasuf Bejta është përfaqësues i Iniciativës së Vjosa Osmanit në listë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme