Prognoza e Ramush Haradinajt për vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Prishtinë | 27 Maj 2020 | 09:21 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shprehur besimin e tij që Gjykata Kushtetuese do të marr vendim në favor të dekretit për zgjedhjen e qeverisë së re nga partia e dytë.

Haradinaj tha se këtu nuk bëhet fjalë për mohimin e të parit. Ai tha se i është dhënë mundësia partisë së parë, e ka krijuar qeverinë, dhe i është dhënë për herën e dytë, por nuk e ka pranuar.

“I pari e ka konsumu mundësinë, e ka themelu Qeverinë. I pari, prapë e ka pas mundësinë e dytë, por nuk ka mrri me bë ose nuk ka dashtë. Nuk ka të bëj me mohim të të parit, por me kërkim të opsionit tjetër. I pari e ka shfrytëzu të drejtën, por e ka humbë për fatin e vet. Vendi është në krizë dhe situata të tilla mund të kemi çdo herë”, tha Haradinaj te “DPT Fidani”.

Haradinaj, tutje tha se vendimin e marrin vetëm gjykatësit e Kushtetueses dhe jo ata që debatojnë.

“Vetëm gjykatësit mund të marrin vendim dhe e interpretojnë Kushtetutën, ne mund të flasim”, tha ai.

Kryetari Haradinaj theksoi se ai e sheh si opsion real dhënien e legjitimitetit kushtetues dekretit të presidentit.

“Unë e shoh si opsion real dhënien e legjitimitetit kushtetues të dekretit, dhe ecjen përpara të partive të tjera, pas humbjes së mundësisë të të parit në parlament. Unë besoj që Gjykata Kushtetuese do t’i jap të drejtë dekretit”, theksoi Haradinaj.

Të ngjashme