Programi sekret qeverisës

Prishtinë | 02 Dhj 2019 | 08:08 | Nga Ekonomia Online

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po presin finalizimin e marrëveshjes për bashkëqeverisje për ta shpalosur programin qeverisës. Të dyja këto kanë bërë të ditur se tashmë janë dakorduar për një program të përbashkët, por nuk kanë dhënë detaje në lidhje me përmbajtjen e tij.

Të dyja këto parti, që janë të kundërta sa u përket orientimeve të tyre politike, pasi që LDK-ja është parti e djathtë, ndërsa Vetëvendosje është parti e majtë, gjatë fushatës zgjedhore kanë paraqitur edhe programe që kanë elemente të përbashkëta, por edhe dallime të mëdha. Këto dallime kryesisht shihen tek programet ekonomike, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas përfaqësuesve të këtyre dy partive, ato tashmë janë tejkaluar dhe programi është finalizuar. Por, përfaqësues të shoqërisë civile thonë se koalicioni i ardhshëm po e fillon qeverisjen në mënyrën më jotransparente të mundshme. Ehat Miftaraj, nga Instituti për Drejtësi i Kosovës (IKD), ka thënë se mënyra e zgjedhur nga koalicioni i ardhshëm qeverisës për të komunikuar me publikun dhe shoqërinë civile është forma më e keqe e mundshme.

“Si VV-ja ashtu dhe LDK-ja gjatë fushatës parazgjedhore kishin premtuar se do të jenë transparentë dhe llogaridhënës para publikut. Përderisa ditëve të fundit kemi prononcime nga përfaqësues të dy partive se kanë harmonizuar plan-programin 100%, votuesit dhe shoqëria civile ende nuk dinë se çka do të përfshijë plan-programi i koalicionit të ardhshëm qeveritar, nëse në këtë program janë përfshirë premtimet elektorale mbi bazën e të cilave këto parti kanë fituar zgjedhjet e fundit”, ka thënë Miftaraj për gazetën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme