Projektligjet s’procedohen në Kuvend nga ministritë, po adresohen interesat e grupeve të caktuar

Prishtinë | 08 Gus 2020 | 08:10 | Nga Kastriot Kokollari Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Mbi 120 projektligje pjesë e planit legjislativ të Qeverisë pritet që t’i shqyrtojnë komisionet parlamentare të Kuvendit të Kosovës. Ndonëse plani i është paraqitur legjislativit, projektligjet ende nuk janë dorëzuar ministritë veç e veç.

Kryetari i komisionit për Legjislacion, Shkëmb Manaj, në një intervistë për Ekonomia Online ka sqaruar se se për shkak të ndryshimeve në Qeveri, por edhe pandemisë është pamundësuar procedimi i projektligjeve.

“Siç e dini për shkak të ndryshimeve qeveritare dhe për shkak të pandemisë Kuvendi edhe Qeveria e kanë pasur të pamundur që të përcjell projektligjet deri më tani në Kuvend përveç, projektligjit për Rishikimin e Buxhetit të cilin e kemi aprovuar”.

“Programi si program është dorëzuar mirëpo nuk kemi ende që kanë ardhur projektligje përveç, rishikimit të Buxhetit, në Kuvend tash ka ardhur ai për Rimëkëmbje Ekonomike dhe së shpejti do të diskutohet nëpër komisione parlamentare”.

Ai thotë se po presin Qeveria e Kosovës të procedojë me projektligje sipas programit legjislativ në mënyrë që Kuvendi t’i shqyrtojë në komisionet përkatëse.

“Kemi disa propozime që kanë qenë prej Kuvendit që janë në procedurë të shqyrtimit të Kuvendit, është Projektligji për Parandalimin e Covid-19 dhe ai për Vlerat e Luftës Çlirimtare të Kosovës, dhe të tjerat ende nuk janë dorëzuar nga ministritë përkatëse, ne po presim që Qeveria e Kosovës të procedojë me projektligje sipas programit legjislativ në mënyrë që Kuvendi t’i shqyrtojë në komisionet përkatëse”.

Të menjëhershëm ai po e konsideron miratimin e Projektligjit për Rimëkëmbje Ekonomike në mënyrë që të fillojë së zbatuari së shpejti, raporton Ekonomia Online.

“Po ashtu tash e kemi edhe një ligj shumë të rëndësishëm që ndërlidhet me gjendjen ekonomike si pasojë e pandemisë, dhe është Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike dhe është shumë i rëndësishëm që shkon në interes të qytetarëve të vendit, të punëtorëve të sektorit privat. Dhe ky është prioritet që ky projektligj të kalojë në sesionin pranveror në mënyrë që të fillojë së zbatuari së shpejti”.

Yll Zekaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), i tha Ekonomia Online se Qeveria po e vazhdon avazin e qeverive paraprake, duke kopjuar planet pa ndonjë analizë.

Sipas tij, këto plane merren si adresim i nevojave dhe grupeve të caktuara të interesit që kanë lidhje me politikën se sa një adresim i nevojave të qytetarëve.

“Plani i kësaj Qeveria po e vazhdon avazin e planeve të qeverive të kaluara të cilat përgatiten pas një analizë paraprake të legjislacionit në fuqi dhe adresimit të nevojave të qytetarëve karshi këtij legjislacioni dhe më shumë këto plane merren si një kopjim i planeve paraprake dhe më shumë këto plane merren si adresim i nevojave dhe grupeve të caktuara të interesit që kanë lidhje me politikën se sa një adresim i nevojave të qytetarëve të jetës së përditshme të qytetarëve që është dashtë të jetë në një plan legjislativ”.

Sa i përket sasisë ai thatë se numri i projektligjeve të propozuar është i madh, por kur vije puna të adresimi vërehet një joseriozitet.

“Nëse shikohet si plan duke së ka një numër të madh të projektligjeve, ishin rreth 129 projektligje por kjo tregon edhe një joseriozitet të qeverisë për adresimin e këtyre ligjeve duke pas parasysh që kemi vetëm edhe gjashtë muaj të këtij viti. Zakonisht në planet legjislative inkuporohen ligjet e rëndësishme dhe kjo shihet edhe nga plani i kësaj Qeverie, por ndryshon në zbatimin e këtij plani ndryshon situata”.

Sipas tij, kjo Qeveri është dashur që t’i jap përparësi ligjeve që adresojnë integritetin e institucioneve dhe zyrtarëve publik brenda këtyre institucioneve.

“Zakonisht nuk ju jepet përparësi atyre ligjeve të cilat adresojnë interesat dhe nevojat reale të qytetarëve, më shumë ju jepet përparësi atyre ligjeve të cilat nuk cenojnë interesat e grupeve të caktuara dhe të cilat nuk cenojnë interesat e klasës politike që janë në pushtet. Ne besojmë që kjo Qeveri është dashtë me i dhanë përparësi ligjeve, që adresojnë integritetin e institucioneve dhe zyrtarëve publik brenda këtyre institucioneve”.

Punët hiq më mirë nuk i ka as Kuvendi, thotë Zekaj, duke shtuar se po ky institucion vazhdon të jetë “dembel”, që nuk po arrijnë ta përmbush misionin e tij.

“Të gjitha ato kritika që i thamë për qeverinë vazhdojnë të jenë edhe për Kuvendin, kemi listuar që po vazhdon të jetë dembele e cila nuk adreson misionin e vet që ka për aprovimin e ligjeve, prej majit të viti 2019 deri në majin e vitit 2020 e shohim që asnjë ligj nuk është aprovuar përveç̧ Ligjit për Buxhetin, i cili është i lidhur drejtpërdrejtë me interesat e deputetëve pa të cilin nuk mund të funksionojnë as ata vetë”.

“Kohëve të fundit po shohim një mungesë të konsensusit në Kuvendin e Kosovës, edhe kur janë në pyetje interesat vitale të popullatës”.

Lexo më shumë:

Të ngjashme