Projektligji për Kompleksin “Adem Jashari” dërgohet në Kryesi të Kuvendit

Prishtinë | 24 Kor 2018 | 11:08 | Nga Mehmet Krasniqi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni parlamentar për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor, në mbledhjen që u tha se mund të jetë e fundit për këtë sesion, ka dërguar në kryesi të Kuvendit Projektligjin për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”.

Deputetja Ganimete Musliu, e cila ka qenë kryesuese e grupit punues për këtë projektligj, ka thënë se ai është i gatshëm që të shndërrohet në ligj, raporton Ekonomia Online.

“Ai projektligj i plotëson të gjitha kriteret që të jetë ligj, nuk ka vërejtje sepse e kemi trajtuar në seanca”.

Po ashtu, është miratuar edhe Projektligji për Veprimtaritë Hidrometeorologjike.

Në mbledhjen e sotme, komisoni ka shqyrtuar edhe planin e punës së komisionit, raporton EO.

Kryetar i ri i këtij komisioni, Muharrem Nitaj, ka thënë se 15 për qind e ligjeve të miratuara nga Kuvendi kanë dalë nga ky komision dhe, sipas tij, kjo punë është e shkëlqyer.

“Kam vërejtur që ky komision ka bërë një punë të shkëlqyer. Me sa e pashë, numri i ligjeve që janë miratuar në raport me komisionet tjera është 15 për qind, më shumë se komisionet tjera”.

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka thënë se e gëzon ky fakt, por është shprehur e shqetësuar me veprimet e opozitës në seancë për të mos i përkrahur ligjet, të cilat i përkrahin paraprakisht në mbledhjet e komisionit.

“Është mirë që të jemi korrekt me njëri-tjetrin. Kërkesa për anëtarët e komisionit është që ligjet që lidhen me interesat e qytetarëve të përkrahen. Projektligjet që votohen me unanimitet në komision të votohen në komision. Për inate politike, qytetari nuk guxon të jetë pre”.

Deputeti i LDK-së, Lutfi Zharku, tha se ajo që theksoi deputetja Musliu lidhet me Ligjin për Ndërtimet Pa leje. Ai deklaroi se gjithmonë mundohen që mosmarrëveshjet në seanca mos t’i bartin në komisione, por tha se kjo do të ndryshojë në të ardhmen.

Zharku tha se ka ardhur sot për ta bërë kuorumin, i cili mundëson mbajtjen e mbledhjes, hatri i Nitajt, pasi drejtoi mbledhjen e parë si kryetar.

“Jam prej 2004 jam në pozitë, herë në opozitë, por jemi munduar që gjithmonë që konfrontimet politike që kemi në Kuvend mos me i bartë në komisione. Kjo që e përmendi Ganimetja lidhjet me ligjin për ndërtimet pa leje. Nuk kemi dashur me i bartë qëndrimet e seancës në komisione, por në të ardhmen duhet me i bartë edhe në komisione”.

Të ngjashme