Projektligji për mbrojtjen e sinjalizuesve vlerësohet më i avancuar

Prishtinë | 13 Kor 2018 | 16:51 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Kosovës ka shqyrtuar në parim Projektligjin për mbrojtjen e sinjalizuesve. Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili e paraqiti projektligjin para deputetëve, tha se ai është i mirë dhe duhet të marrë përkrahjen e tyre.

Ligji është cilësuar si më i avancuar se ai që është në fuqi, edhe nga deputetët, përfshirë ata të opozitës.

Ministri Tahiri tha se ka pasur 4 debate të mëdha që MD, si propozues, i kanë adresuar brenda këtij projektligji.

“Definimi se kush është sinjalizues; a është çështje etike sinjalizimi; si duhet të bëhet sinjalizimi dhe çfarë përgjegjësie kanë institucionet tona për të ofruar mbrojtjen nga kërcënimet që u bëhen sinjalizuesve për shkak ta sinjalizimit të tyre”, tha Tahiri, raporton Ekonomia Online.

“Mbi këtë bazë projektligji ka adresuar gjërat si në vijim: Është njohur sinjalizimi si mjet në përpjekjet tona në luftën kundër keqpërdorimit, korrupsionit dhe abuzimit me autorizimet publike. Është vendosur mbrojtja e interesit publik që e legjitimon sinjalizimin, është kategorizuar sinjalizimi i mospërmbushjes së obligimeve ligjore, dëmtimi i mjedisit, keqpërdorimi i parasë publike e disa të tjera”.

Hajdar Beqa, në emër të grupit parlamentar të PDK-së, tha se ky ligj është i harmonizuar me standardet evropiane.

“Grupi parlamentar e ka shqyrtuar këtë projektligj. Të rejat në këtë projektligj janë: mundësia e sinjalizimit të shkeljeve në sektorin privat-publik, përcaktimi i procedurave të posaçme për të punësuarit që bëjnë sinjalizimin për institucionin ku punojnë, qasje trishkallëshe për sinjalizimin, sinjalizimi i jashtëm i brendshëm dhe publik, përcaktimi i masave ndëshkimore për ata që nuk e përkrahin këtë ligj”.

Beqa ftoi deputetët që ta përkrahin në parim këtë projektligj dhe të kontribuojnë me vërejtje e sugjerime mes dy leximeve.

Sami Kurteshi, në emër të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, tha se ky ligj është më i avancuar sesa ai që është në fuqi.

“Ne e kemi analizuar këtë projektligj dhe ai është i pranueshëm për neve në parim. Mirëpo në leximin e dytë mund të ndryshojmë dhe të bëhet edhe më i pranueshëm. Ky ligj dallon shumë nga ligji që është në fuqi dhe është shumë më i avancuar. Ne kemi vërejtjet tona që do t’i zgjedhim në leximin e dytë”.

“Një çështje tjetër që duhej të spikatej do të duhej të ishte edhe fuqizimi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, në mënyrë që rekomandimet të përmbushen”, tha Kurteshi.

Bilall Sherifi, nga grupi Nisma Socialdemokrate, po ashtu, i dha përkrahje ligjit.

“Edhe unë mund të konfirmoj atë që thanë kolegët sepse në Komisionin për Legjislacion kemi rënë dakord. Ne do të punojmë bashkë në këtë ligj deri sa të hyjë në fuqi. Ne kuadër të punës do të japim rekomandimet tona, në mënyrë që ky ligj të plotësohet”.

 

Të ngjashme