Prokurori i Shtetit reagon pas deklaratës së Besnik Bislimit: Valdete Daka e asnjë zyrtar i KQZ-së nuk janë duke u hetuar

Prishtinë | 17 Qer 2021 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se është duke i hetuar pretendimet se janë të manipuluara disa nga votat e ardhura me postë nga diaspora.

Përmes një njoftimi për media, Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se tashmë janë duke kryer një hetim të tillë, por që këtu nuk është e përfshirë as ish kryesuesja e Komisioni Qendror Zgjedhor, Valdete Daka e as ndonjë zyrtar tjetër i KQZ-së.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ju njofton se është duke i hetuar pretendimet se janë të manipuluara disa vota të ardhura me postë nga diaspora.Mirëpo, ju njoftojmë se as znj. Valdete Daka dhe as ndonjë zyrtar tjetër i KQZ-së nuk janë pjesë e këtij hetimi penal”, thuhet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Ditë më parë zëvendëskryeministri Bisnik Bislimi, ka thënë se Prokuroria ka kryer hetime për disa manipulime të votave nga Austria, për të cilat ai ka thënë se s’kanë mundur të bëhen pa dijeninë e ish-kryetares së KQZ’së, Valdete Dakës

Ndryshe më 14 shkurt 2021 në Kosovë janë zhvilluar zgjedhjet nacionale, në të cilat pati disa herë raportime lidhur me mos-zhvillueshmërinë e rregullt të votimit sa i përket votave nga diaspora.

Këtë herë regjistrimi dhe votimi i votuesve nga jashtë ishte bërë në një mënyrë tjetër dhe kësisoj lindën edhe deklarime të shumta lidhur pretendimet për manipulim të votave.

Të ngjashme