Propozimi i Hotit për “Liqenin Trump” cilësohet “flirt politik”

Prishtinë | 26 Sht 2020 | 08:45 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e ka marrë seriozisht propozimin e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, në lidhje me emërtimin e liqenit të Ujmanit. Hoti përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook tha se propozimi i Grenellit mund të vijë në dritë si shenjë nderimi për rolin që ky i fundit, sipas tij, luajti në arritjen e marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Hoti tutje në postimin e tij shprehet se një veprim i tillë nuk tregon asgjë më shumë pos traditës dhe kulturës që i karakterizon kosovarët për të nderuar mikun e tyre. Megjithatë ishte vetë Grenelli që pati deklaruar se komplet çështja e emrit të Ujmanit kishte ardhur në formë shakaje nga ai në mes të debatit që të dyja palët e kishin ngritur rreth emrit, Gazivodë apo Ujman.

Emisari amerikan në një prononcim publik për një media amerikane kishte thënë se u kishte folur të dyja palëve rreth parëndësisë që emri për këtë pjesë luan në raportin e dialogut mes të dyjave, dhe se kjo ishte diçka krejt e vogël krahas pikave në të cilat Kosova e Serbia duhet të koncentrohen.

“Nëse vazhdoni të grindeni për emra, mbiemra e simbolika të tjera pa kuptim s’do të arrijmë askund. Lëreni anash këtë diskutim dhe të përqendrohemi në çështje më madhore. Në fund, të dyja palët pranuan që emri për Ujmanin të jetë i përbashkët, por në formë shakaje unë u thashë se nëse nuk mund të bini dakord për emrat, thjesht do ta quajmë liqeni Trump”, kishte thënë Grenell.

Me gjithë pajtimin e kryeministrit të vendit për ndërrimin e emrit të liqenit, janë qytetarët e vendit ata që nuk pajtohen me një gjë të tillë. Sipas tyre, respekti për Amerikën po i kalon kufijtë e miqësisë nga krerët tanë të shtetit.

“Kosova me këtë emën i ka marrë të gjitha financat para më shumë se 40 vjetëve, por këta tanët s’po donë me i pa letrat e atëhershmit, po mendojnë se ato letra nuk na vyjnë tash’’ u shpreh Shkëlzen Zherka, qytetar i vendit, derisa sipas Agim Asllanit, qytetar tjetër i Kosovës, nuk duhet t’i preken pasuritë. ‘’Kosovë, Kosovë jena, shqiptar shqip emnin, Ujmani i Kosovës është, ma mirë me e lanë qysh e ka pasë emrin, me i marrë amerikanët me të mirë, na miq i kem, po s’po besoj që ka nevojë me ia ndërru”, u shpreh Asllani.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme