Protesta e nesërme e veteranëve, bëhet thirrje për përjashtim të çdo lloj dhune

Prishtinë | 15 Qer 2022 | 13:02 | Nga Ekonomia Online

Nesër veteranët e UÇK-së do të protestojnë para objektit të Kuvendit dhe Qeverisë, në shenjë kundërshtimi për miratimin e Projektligjit për Pagën Minimale, prej ku u përjashtuan ata.

Pas lajmërimit për protestë nga OVL e UÇK-së, Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka bërë thirrje që kjo protestë të jetë e qetë.

Në një komunikatë për media, KMDLNJ ka njoftuar se do ta monitorojë protestën e veteranëve dhe tha se shpreson që kjo protestë të jetë paqësore dhe të përjashtojë çdo lloj dhune.

Komunikata e plotë:

KMDLNJ THËRRET PËR PROTESTË TË QETË TË VETERANËVE TË LUFTËS
Për shkak të mospërfshirjes në Ligjin për pagën minimale, shoqatat e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë paralajmëruar se të enjten, përkatësisht me datë 16 qershor 2022 do të organizojnë një protestë në kundërshtim të një padrejtësie flagrante që iu bëhet pasi deputetët e pozitës miratuan në lexim të parë këtë ligj në Kuvendin e Kosovës me datë 14 qershor 2022. KMDLNj –ë edhe më herët ka përkrahur kërkesat e drejta të veteranëve të luftës që të përfshihen në Ligjin për pagën minimale duke deklaruar se edhe kjo pagë, as përsëafërmi nuk i plotëson nevojat e veteranëve të luftës dhe është në shpërputhje të madhe me situatën e krijuar ekonomike e mos të flasim me kontributin e madh që e kanë dhënë para, gjatë dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë. KMDLNj –ë edhe më heret ka kundërshtuar numrin e veteranëve por, pasi kjo çështje është duke u trajtuar nga institucionet e drejtësisë, rezervohet nga deklaratat publike.

Sido që të jetë, KMDLNj –ë konsideron se protesta e paralajmëruar e veteranëve të luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është plotësisht e drejtë dhe paraqet përpjekje për mbrojtje të drejtave të njeriut të kësaj kategorie që kohëve të fundit përveç shpërfilljes institucionale, nga përfaqësuesit e institucioneve që duhet t’i mbrojnë, në mënyrën më brutale dhe më të panjerëzishme po fyhen, po stigmatizohen duke anashkaluar dhe mohuar kontributin e tyre të pamohueshëm për liri dhe çlirim të Kosovës. Nuk ka më përulje dhe poshtërim për një shtet nëse veteranët e luftës i trajton me një ndihmë sociale prej 170 eurosh që realisht është shuma me të cilin mbushet një rezervoar me karburante me çmime aktuale të një xhipi apo veture të institucioneve. Përgjegjësia për trajtim jonjerëzor i veteranëve të luftës dhe kontribuesve tjerë për liri dhe çlirim të Kosovës nuk është vetëm i kësaj qeverie por i të gjitha qeverive paraprake e që kjo qeveri, me mospërfshirjen në Ligjin për pagë minimale i ka vënë kapakun e diskriminimit.

KMDLNj –ë do të monitorojë nesër protestën e paralajmëruar të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpreson se kjo protestë krejtësisht e drejtë dhe e arsyeshme do të jetë paqësore duke përjashtuar çdo llojë dhune nga cilado palë dhe, në të njëjtën kohë thërret palët që t’i përmbahen rregullave të një proteste paqësore e që është rregulluar me ligjet në fuqi në Kosovë. Çdo përdorim i dhunës nga cilado palë për KMDLNj –në do të jetë e papranueshme dhe, si e tillë nuk do të përkrahet.

KMDLNj –ë gjithashtu e thekson se sulmet ndaj Listes Serbe pse ka votuar për këtë Ligj janë të paarsyeshme dhe në kundërshtim me ligjin për faktin se si deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë mandat të votojnë në përputhje me vullnetin, përcaktimin dhe interesin politik që e kanë! Është çështje tjetër se lojalitetin e tyre, si politikanë, deputetë dhe votues ia kanë besur Serbisë për të cilën botërisht janë deklaruar se shteti i tyre është Serbia, se president i tyre ësht Aleksandar Vuçiq dhe jo Vojsa Osmani dhe se kryeminister e kanë Bërnabiqin e jo Albin Kurtin. Së paku, janë të sinqertë!

Të ngjashme