Protesta për shtrenjtim të rrymës: Protestuesit thërrasin “Albin mashtruesi”, “Albin rrenci”

Prishtinë | 26 Jan 2022 | 14:45 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Paralajmërimi për shtrenjtimin e faturave së energjisë elektrike, nga 1 shkurti, ka mbledhur në kryeqytet një numër të konsiderueshëm të qytetarëve, të cilët po kërkojnë që kryeministri Albin Kurti ta “bllokojë tarifën”.

Në protestën që nisi prej sheshit “Zahir Pajaziti”, qytetarët u nisën drejt ndërtesës së Qeverisë, ndërsa disa nga protestuesit thirrën “Albin mashtruesi” dhe “Albin rrenci”.

Ata thonë se s’duan të paguajnë rrymë edhe për komunat në veri të vendit.

Protesta është paralajmëruar ditë më parë dhe është organizuar nga një grup qytetarësh, në shenjë pakënaqësie për propozimin e ZRRE-së për ngritjen e çmimit të faturave të rrymës.

Siç ka bërë të ditur ZRRE-ja, në këtë rritje nuk do të përfshihen komunat veriore.

Për t’i mbuluar shpenzimet e faturave elektrike që shkojnë në mbi 600 KW, qeveria ka thënë se do të subvencionojë 75 milionë euro.

Me 75 milionë eurot e propozuara, shuma e mjeteve financiare të ndara për mbulimin e krizës energjetike shkon në mbi 100 milionë.

Fjalimi i plotë:

Që nga dhjetori i vitit të kaluar ne jemi shantazhuar vazhdimisht me reduktime e rritje çmimesh të energjisë e jemi tallur nga institucionet që janë zgjedhur për t’na përfaqësuar. Nje herë u ballafaquam me reduktime enorme të energjisë të cilat na e përkeqësuan mirëqenien e funksionimin kolektiv të secilës e secilit prej nesh, për t’u kërcënuar tutje që nëse nuk duam reduktime, duhet të paguajmë më shumë. E tash po ballafaqohemi me shantazhin e qeverisë për shtrenjtim të energjisë.Propozimi i fundit i ZRrE-së për vendosjen e bllok tarifës dhe rritjen e çmimit të energjisë, do të na varfërojë edhe më tej secilën/in prej nesh.

Gjatë sezonës së dimrit konsumi energjetik i një familje mesatare në Kosovë e kalon në çdo formë 600 kWh. Kjo do të thotë që nëse ne e kemi paguar një faturë prej 58 eurove me tarifën e re do të paguajmë rreth 108 euro.Ky propozim, thellësisht i padrejtë dhe zhvatës, është një tentativë tjetër për të na faturuar neve qytetarëve, pasurimin e bizneseve. Kjo pasi që bllok tarifa dhe rritja e çmimit të energjisë na aplikohet vetëm neve, qytetareve/ve dhe jo edhe bizneseve. Pra, në këto kushte, sipas propozimit të ZRrE-së, qytetaret/ët e Kosovës, me nji pagë minimale prej 180 eurosh e nje numër të madh të papunësisë, do t’ua paguajnë faturën edhe bizneseve. Plus veriut, i cili abstraktohet nga çdo masë e ligj në Kosovë. Vendimi i ZRrE-së nuk ka kuptim përderisa gjendja jonë ekonomike është duke u dëmtuar çdo ditë. Buxheti tashmë i qytetarëve kosovarë, nuk mund ta përballojë edhe nje rritje të tillë.

Në anën tjetër kryeministri i Kosovës na thotë se qytetarët po fantazojnë, sepse s’ka rrugëdalje, ose shtrenjtim ose reduktime ose subvencionim. Me ose- osat e kryeministrit, ne duhet t’i themi atij OSE neve OSE KEDS-in dhe ia bëjmë me dije edhe kryeministrit e të gjithë atyre që sot kanë guximin ta fyejnë çdo person në Kosovë që rryma asnjëherë nuk ka qenë e lirë.Ne e dimë edhe sa e paguajmë faturën, edhe sa fiton KEDS-i, edhe sa paguajmë për veriun, edhe sa ja jepni ju KEDS-it subvencion prej pareve tona. Kryeministër na dimë ma shumë se që ti mendon, na e dimë se faturën e rrymës po e paguajmë 4 herë të njëjtën. Andaj, ua themi edhe një herë që ne nuk do e japim asnjë cent ma shumë për ta pasuan KEDS-in.Ne do e kundërshtojmë me të gjitha mjetet demokratike që i kemi në dispozicion çdo propozim që nuk na mbron interesat tona por na bënë argat të kompanive private. Andaj dhe kërkojmë që:1. Qeveria të mos e aprovojë bllok-tarifën e propozuar nga ZRrE-ja dhe 2. Ta shtetëzojë KEDS-in kjo si zgjidhja jonë më e qëndrueshme për furnizim të drejtë me energji elektrike të të gjithë neve, pa dallim.Ne nuk do të tërhiqemi derisa kërkesat tona të adresohen dhe shteti të rreshtohet me qytetarët e jo kompanitë private.Ju faleminderit!

Të ngjashme