Protestohet kundër shtrenjtimit të rrymës – Molliqaj: PDK s’merr pjesë, LDK dhe AAK e përkrahin

Prishtinë | 28 Jan 2022 | 12:26 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Socialdemokrate (PSD) të shtunën do të protestojë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, në një adresim para medieve, ka ftuar të gjithë qytetarët dhe partitë opozitare që t’iu bashkëngjiten të shtunën, prej orës 14:00, në protestën që nis nga sheshi “Zahir Pajaziti”. “Protestojmë që ky shfrytëzim i qytetarëve të Kosovës për të ruajtur profitin e interesat e KEDS e KESCO-s të ndalohet!”

“Ne nesër ftojmë secilin qytetar të Republikës së Kosovës, partitë politike e organizatat qeveritare sepse jemi të bindur se një numër i madh i qytetarëve do ta kthejë mbrapa vendimin e ZRRE-së. Protesta është paqësore por do të kemi edhe aksione simbolike që do ta shprehin revoltën e qytetarëve karshi këtij propozimi të ZRRE-së”, ka thënë Molliqaj.

Molliqaj radhiti arsyet pse protestojnë:

1. Rritja e çmimit të energjisë është e papërballueshme për shumicën dërmuese të qytetarëve. Krahasuar me pagën mesatare, ky çmim është ndër më të shtrenjtit në Evropë.

2. Që prej privatizimit të distribucionit, KESCO ka fituar mbi 150 milionë euro. Në ditët e mira gjithë fitimi shkon për ta, kurse vështirësia më e vogël i faturohet qytetarëve me rritje të çmimit.

3. Shuma e parave të ndara nga Qeveria për të mbuluar KESCO-n arrinë deri në 120 milionë. Paratë e buxhetit janë paratë e qytetarëve.

4. Trajtimi i veriut të vendit sa i përket fushës së energjisë përbën ndarje etnike dhe është në frymës dhe logjikën e Asociacionit. Privilegji për disa është diskriminim për të tjerët.

5. Qeveria dhe ZRrE janë bërë avokuese të kompanisë private KESCO.

Molliqaj ka treguar se është takuar edhe me përfaqësuesit e partive politike në vend për të marrë përkrahje rreth protestës.

Ai ka thënë se nga PDK, LDK e AAK kanë deklaruar se do ta mbështesin protestën, por se nuk ka informacione nëse do të jenë prezentë në protestë, përpos PDK-së e cila ka deklaruar se nuk do të marrin pjesë.

“Jam takuar me Lumir Abdixhikun, Vlora Çitakun e Ramush Haradinajn. Haradinaj ka deklaruar se do ta mbështesë protestën, ndërsa LDK ka thënë se pajtohet me kërkesat tona e njëjtë LDK. PDK ka thënë se ka arsye të protestohet por se vet nuk do të marrë pjesë”, u shpreh Molliqaj.

Gjatë ditës së djeshme kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka konfirmuar se mbështesin protestën, por se PDK nuk do të marrë pjesë në protestë.

Po në këtë javë, në Kosovë ka pasur edhe një protestë tjetër kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Të ngjashme