Protiq: S’ka shenja se SHBA ka ndryshuar politikën ndaj Ballkanit dhe as qëndrimin ndaj Kosovës

Prishtinë | 23 Gus 2018 | 12:56 | Nga

Historiani serb, Milan St. Protiq, thotë për Deutsche Wellen se politikanët serbë nuk kanë idetë e duhura për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Sipas tij, ata nuk po i përdorin si duhet “argumentet”.

Duke folur rreth deklaratës së tij dhe ndërlidhjes së zgjidhjes së çështjes së Kosovës me vetëvendosjen e serbëve në Republikën Serbe, ai tha se mbi parimin e vetëvendosjes së popullit – një komb një shtet – është shkatërruar edhe ish-Jugosllavia.

“Argumenti kryesor i shqiptarëve në Kosovë është insistimi i krijimit të shtetit pikërisht mbi këtë bazë. Kurrë nuk është mirë kur për të njëjtat gjëra aplikohen parime të ndryshme, sepse kjo jo vetëm që është e padrejtë, por paraqet edhe një burim të problemeve, sipas motos: nëse mund ta bëjë njëri, pse të mos e bëjnë edhe të tjerët? Ndaj mendoj se ky është një parim, i cili në Ballkan nuk mund të evitohet dhe deri sa ai nuk realizohet, nuk mund të shkohet përpara. Nëse gjërat janë kështu dhe nëse statusi i Kosovës ka mbërritur deri në nivelin kur shtrohet vetëm dilema nëse Serbia do të njohë pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, atëherë më duket e natyrshme që kjo të balancohet me të drejtat e serbëve në Bosnje-Hercegovinë për vetëvendosje. Pra njësoj si edhe e drejta e shqiptarëve. Kjo që kemi tani është një sabotim i ndërsjellë. Shqiptarët e jugut të Serbisë e sabotojnë Serbinë, e Serbia saboton Kosovën. Nuk mendoj se kjo është zgjidhje e mirë. Serbia me insistimin e saj që të ruajë integritetin territorial është duke e bllokuar mundësinë e shtrimit të kësaj çështjeje. Kjo nuk do të thotë se Serbia nesër duhet të hapë çështjen e ndarjes së Republikës Serbe nga Bosnjë-Hercegovina, por mjafton të përdoret si argument dhe të presë që bashkësia ndërkombëtare ta pranojë këtë argument dhe të kuptojë se për çfarë është fjala”, tha ai.

Sipas tij, hipokrizi është vet fakti që nuk kërkohet nga Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, por ofrojnë një të ashtuquajtur marrëveshje të detyrueshme juridike.

“Pse na ofrojnë ata diçka të tillë? Mua më duket se ata janë të vetëdijshëm se njohja e Kosovës nga Serbia do t’ia zgjidhte duart Serbisë për realizimin e interesave të saj. Ndërsa oferta për marrëveshje është një zgjidhje tipike formale perëndimore. Ndërlidhja e ngjarjeve në Srebrenicë me pohimet se ky është shkak pse Republika Serpska nuk duhet të ketë të drejtën e vetëvendosjes, mund të interpretohet edhe ndryshe – se serbët kanë të drejtë ashtu si të gjithë të tjerët për vetëvendosje. Në këtë moment kemi standarde të dyfishta, sepse në Kosovë duam një gjë, e në Bosnjë-Hercegovinë diçka tjetër”, tha Protiq.

Duke folur rreth supozimeve se Uashingtoni ka ndryshuar politikën dhe se SHBA është më e gatshme për propozimet e palës serbe për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ai tha se kjo duket infantile.

“Kjo më duket bukur infantile. Fuqitë e mëdha nuk e ndryshojnë politikën e tyre, ose e ndryshojnë me shumë vështirësi. Nuk ka asnjë shenjë se SHBA e ka ndryshuar politikën ndaj Ballkanit, e në këtë kuptim pra as qëndrimin ndaj Kosovës, dhe në veçanti jo që t’i kthehet palës serbe. Ne edhe në fillim kemi pasur sjellje fëmijërore, sa i përket pritjeve nga Trumpi. Kur në krye të diplomacisë keni një Daçiq, i cili nuk e di asnjë fjalë anglisht, për të cilin politika në Uashington është më e panjohur se sipërfaqja e Marsit, diçka më të mirë nuk mund të prisni. Ne nuk duam të ndryshojmë politikën tonë, ndërsa presim që këtë ta bëjë Amerika! Nuk e di si duhet ta quajë këtë sjellje. E qartë është që edhe Rusia, siç edhe po bën, do ta shfrytëzojë Kosovën si precedencë për interesat e veta”, tha ai.

“Dikush ka dëgjuar se në Amerikë ekziston lobimi. Natyrisht që atje ka shumë mashtrues, të cilët të premtojnë gjëra dhe duan t’ju marrin shumë para. Për lobim në Amerikë duhet të kesh shumë para dhe është gati e pamundur që me para të ndryshoni politikën amerikane. Politika amerikane nuk mund të blihet. Lobimi shërben për diçka tjetër. Ajo që mund të bëhet është prezantimi i argumenteve të shëndosha politike para opinionit përmes njerëzve me influencë, e për këtë nuk nevojiten para por shkathtësi. Ju mund të paguani dhe të fotografoheni me presidentin e Amerikës, por jo edhe të bisedoni me te për çështjet politike. Tek e fundit, presidenti nuk vendos për këtë. Pra me Trumpin nuk duhet të bisedohet për këtë, sepse ai nuk e ka idenë për këto gjëra”, tha ndër të tjera Protiq.

“Politika serioze bëhet në vende të tjera – në universitete, në media, në Kongresin amerikan, në korin diplomatik… e këtu ju nevojiten paratë vetëm për karburante dhe makinë. Nëse dikush ju fton të mbani ndonjë ligjëratë në ndonjë shkollë serioze, kjo mund të ketë një efekt shumë më të madh se të bisedoni me Trumpin. Ja edhe një shembull: perceptimi serioz i opozitës serbe në SHBA ka ndodhur pas një paraqitje në Harvard në pranverën e vitit 2000, ku kanë marrë pjesë 1.000 studentë dhe asnjë politikan. Ftesën e kemi marrë nga një fondacion grek dhe këtë e kemi shfrytëzuar mirë”, tha historiani serb.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme