PS-ja nuk është tërhequr nga shkarkimi i Metës

Prishtinë | 11 Qer 2019 | 17:45 | Nga Ekonomia Online

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka deklaruar se mazhoranca nuk është tërhequr nga vendimi për të kërkuar shkarkimin e Ilir Metës nga posti i Presidentit të Republikës.

I pyetur nga gazetarët nëse PS është tërhequr nga vendimi, referuar rezolutës që është depozituar në Kuvend dhe ku nuk përmendet shkarkimi i Metës, Balla dha këtë përgjigje: “Aspak. Më vjen mirë edhe keq gjithashtu që një pjesë e juaja nuk e ka lexuar siç duhet draftin e rezolutës, e cila pikësëpari ka për qëllim të qartësojë se Shqipëria është Republikë parlamentare, që presidenti ka bërë një akt antikushtetues dhe të tjerat do të jenë në vijim.”

I pyetur sërish nga gazetarët nëse PS do të depozitojë një kërkesë të dytë ku të jetë përcaktuar edhe shkarkimi i Metës, Balla tha: “Do të jetë edhe kjo dhe sapo të depozitohet do të njoftohet.”

Partia Socialiste ka kundërshtuar ashpër vendimin e presidentit Meta për të shfuqizuar 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale në Shqipëri

Të ngjashme