PSD hap zyrën e saj edhe në Podujevë

Podujevë | 08 Dhj 2018 | 18:56 | Nga Ekonomia Online

Partia Socialdemokrate ka njoftuar se sot është hapur zyra e saj në komunën e Podujevës. Duke e paraqitur programin socialdemokrat para llapjanëve, kryetari Shpend Ahmeti, sekretarja e përgjithshme, Aida Dërguti dhe koordinatori i degës, Blerim Maqastena, e quajtën të rëndësishëm zgjerimin e PSD-së në këtë komunë.

“Tre mandatet e kryetarit aktual të komunës dhe 15 vitet e udhëheqjes lokale nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk i zgjidhen problemet ekzistenciale të Besianës. Mungesa e transparencës të shpenzimeve publike, problemet me rrjetin e ujësjellësit dhe ujin e pijes, ndotja e ambientit dhe mostrajtimi i ujërave të zeza, transporti i munguar publik dhe sistemi mosfunksional shëndetësor primar, mbeten ende disa nga problemet jetike, të pazgjidhura që nga përfundimi i luftës. Korrupsioni dhe nepotizmi në rritje, uzurpimi i hapësirave publike dhe kontestet e pazgjidhura të pronave e borxheve publike, dëshmojnë po ashtu nevojën urgjente të ushtrimit të politikave socialdemokrate dhe mjedisore në qeverisjen vendore”, shkruhet në komunikatën e dërguar nga PSD.

“Zgjerimi i sotëm i Partisë Socialdemokrate në Besianë është mundësia e nesërme për qeverisje moderne lokale, me transparencë radikale dhe me planifikim hapësinor e urbanistik, në shërbim të funksionalizimit të shërbimeve komunale dhe lirimit e zhvillimit të hapësirave publike”.

“Interesimi dhe gatishmëria e qytetarëve të Besianës për angazhim politik në PSD, rreth një organizimi të mirëfilltë demokratik, me program zhvillimor dhe social, shpërfaq vullnetin e përgjithshëm për transformimin e domosdoshëm të qeverisjes në Republikën e Kosovës, në dobi të shtresave më të shtypura dhe të harruara të shoqërisë”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme