PSD hap zyrën në Sharr, fton qytetarët për ndërtimin e një shoqërie të drejtë

Prishtinë | 24 Nën 2018 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

Me rastin e hapjes së zyrës së PSD-së sot në Sharr, sekretarja e përgjithshme Aida Dërguti dhe koordinatori i degës për Sharr Azdren Shala, paraqiten platformën socialdemokrate dhe ftuan qytetarët që të angazhohen për ndërtimin e një shoqërie të drejtë, zhvillimore dhe barazitare.

“Rajoni i Sharrit përballet ende me probleme ekzistenciale, si pasojë e papërgjegjësisë së qeverisjeve lokale dhe të shpërfilljes së vazhdueshme nga qeveritë në nivel qendror.

Partia Socialdemokrate me politikat e saj për rishpërndarje më të drejtë sociale dhe për decentralizime mbi nevoja socio-ekonomike, mbetet alternativa e duhur edhe për Sharrin, i cili po e paguan koston e politikave neoliberale të qeverive të pasluftës në Kosovë, të cilat i thelluan pabarazitë shtresore dhe i zhyten edhe më shumë në periferi, zonat më të pazhvilluara të Republikës”, njoftohet nga kjo parti.

“Furnizimi me ujë të pijshëm dhe cilësia e ujit mbeten probleme të kësaj komune, përkundër burimeve të shumta të ujit që ndodhen në territorin e saj. Degradimi i vazhdueshëm i mjedisit dhe të hapësirave publike, mungesa e investimeve, si dhe gjendja jo e mirë të infrastrukturave; po e vështirësojnë çdo ditë e më shumë përditshmërinë e banorëve të kësaj zone, me potencial të madh në burime natyrore.

Partia Socialdemokrate, tashmë aktive edhe në Sharr, është pikërisht mundësia për zhvillimin e politikave progresive publike dhe të mjedisit, me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të qytetarëve në vendimmarje”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme