PSD-ja, AAK-ja dhe Nisma i drejtohen Kushtetueses për vendimin e Thaçit rreth emërimeve në KQZ

Prishtinë | 08 Pri 2019 | 14:09 | Nga Besiana Dauti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetarët e grupeve parlamentare të PSD-së, AAK-së, dhe NISMA-s, mbështetur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, kanë dorëzuar kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë të Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), raporton Ekonomia Online.

Shefi i grupit parlamentar të Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, tha se është bërë e padrejtë që presidenti nuk ka dekretuar anëtarët e tyre për KQZ.

Sipas tij, Dekreti nuk është në përputhje me Kushtetuën, andaj duhet të shfuqizohet.

“Sapo dorëzuam ankesë në Gjykatën Kushtetuese për të sfiduar vendimin e presidentit, dekretin. Tij që ka të bëj me emërimin e anëtareve të KQZ-së, konsiderojmë se na u janë shkelur të drejtat tona si grupe parlamentare dhe për këtë e kemi sfiduar këtë dekret në gjykatë Kushtuese, presim të na jap të drejtë atë që e kemi ngritur sot. Dekreti nuk është në përputhje me Kushtetutën janë të gabuar dhe duhet të shfuqizohet, deri në marrjen e aktgjykimit ne së paku nga përfaqësuesit e NISMA-s dhe 30 deputetëve nuk do bëjmë komente tjera që gjykata mos të jetë në presion”, tha Sherifi.

Sherifi shtoi se ndoshta do kërkojnë masë të përkohshme, nëse koalicioni funksionon mbi parime dhe detyrime ndërmjet partnerëve.

“Do ta konsultojmë me partnerët dhe ndoshta do kërkojmë brenda kësaj jave masë të përkohshme, nëse koalicioni funksionon mbi parime dhe detyrime tjera reciproke mes partnerëve këtu nuk jemi vetëm koalicionin por edhe PSD që është jashtë koalicionit”, shtoi Sherifi.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, tha se ideja e kësaj është edhe pluralizmi që për një vend demokratik duhet të jenë përfaqësues të secilës parti në KQZ.

“Pluralizmi në këtë Republikë, në frymën e asaj që duam të ndërtojmë një demokraci plurale ku gjitha grupeve parlamentare janë të përfaqësuara siç parashihet edhe me Kushtetutë, ne këtë ankesë besoj se beteje jonë e përbashkët është pluralizmi që nuk d.m.th. përfaqësimi i vetëm disa grupeve por të gjithave”, u shpreh Sejdiu, raporton EO.

Ahmet Isufi, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, tha se është bërë shkelje që nuk është zbatuar kërkesa e gjithave gupeve parlamentare nga ana e presidentit.

“Zyra e Presidentit ka kërkuar nga gjitha grupeve parlamentare të dërgojnë emrat e anëtare të KQZ-së ne i kemi dërguar dhe konsiderojmë se është bërë shkelje sepse nuk është zbatuar ajo kërkesë e presidentit për të i dekretuar gjithë anëtarët e grupeve parlamentare”, tha Isufi.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi javë më parë emëroi anëtarët e rinj të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ).

Anëtarët e rinj të KQZ-së të cilët u emëruan janë: Sami Hamiti, Florian Dushi, Adnan Rrustemi, Nazlie Bala, Alfred Kinolli, Qemail Kurtishi, Ercan Shpat dhe Stevan Veselinoviq.

DREJTPËRDREJT

?DREJTPËRDREJT – Kryetarët e grupeve parlamentare të PSD-së, AAK-së, dhe NISMA-s, dorëzojnë në Gjykatën Kushtetuese: Kërkesën për Vlerësimin e kushtetutshmërisë të Dekretit të Presidentit, lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Posted by EkonomiaOnline on Monday, April 8, 2019

Të ngjashme