PSD-ja: Asociacioni nuk bën

Prishtinë | 01 Gus 2020 | 16:13 | Nga Ekonomia Online

Qeveria e Kosovës së fundi ka nisur një proces dialogu me Serbinë. Siç duket dialogu është vijim i procesit të ndërprerë nga koha e vendimit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Binarët e vjetër sjellin rezultatet e dëmshme të projekteve të vjetra. 

Kosova nuk ka kohë për procesin “pa paragjykim” të Lajçakut. Për Kosovën, dialogu është dialog për njohje të ndërsjellë. Asnjëri nga 5 vendet mosnjohëse brenda BE-së, deri tash nuk ka deklaruar se do ta njohë Kosovën nëse ky është rezultati i dialogut. Mungesa e unitetit evropian është pafuqi e procesit për të sjellur rezultat. Kështu, procesi bëhet qëllim në vete, kurse rezultati i dëshirueshëm. Përmbyllja e subjektivitetit ndërkombëtar të vendit nuk mund të jetë peng i mungesës së unitetit brenda BE-së. Ky nuk është qëndrim anti-evropian, por thirrje për unitet përmes demokratizimit të vetë Bashkimit Evropian. 


Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe e përjetëson problemin duke e devijuar shpjegimin për të. Asociacioni në Planin e Lajçakut siç duket do të thellohet përtej atij që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese. Përveç kompetencave ekzekutive, mbetet të shihet përmbajtja e termave si “autonomi, politika sektoriale e fuqi ministrore” që kanë qarkulluar së fundi. Organizimi i jetës përmes dallimeve nuk ka çuar në integrim. Lista Serbe në institucionet e Kosovës është dëshmi për këtë. 


“Asociacioni” është emri i mirë për një projekt regresiv. Siç duket, problemet e veta BE do t’i riprodhojë këtu. Nivelet e ndryshme të zhvillimit prodhojnë kufij të brendshëm që shpjegohen përmes dallimeve kulturore. Ajo që diku quhet racizëm perandorak, e diku postmodern nuk vendos përjashtim dhe kufij të bazuar tek biologjia e racës, por shkallshmëri të dallimeve sipas kulturës. BE-së nuk do t’i përgjigjemi për t’iu dëshmuar ekonomisë së kërkesës për tolerancë. Përkundrazi, BE-së duhet t’i përgjigjemi me mungesën e saj: demokracia. Demokracia është përfshirje e barazi e qytetarëve, pavarësisht dallimeve, dhe jo projekt që nisë e ndërtohet përmes dallimeve e sipas dallimeve. 

Të ngjashme