PSD-ja i çon “tortë” Qeverisë Kurti për njëvjetor

Prishtinë | 22 Mar 2022 | 15:59 | Nga Leonora Kolukaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në njëvjetorin e Qeverisë Kurti, Partia Socialdemokrate ka kryer një aksion simbolik. Para hyrjes së objektit të Qeverisë, të martën, ajo vendosi një tortë të improvizuar, me mbishkrimin në anglisht “Le të hanë tortë”.

Anëtarja e Kryesisë së PSD-së, Donjeta Demolli, tha se kryeministri Albin Kurti pati premtuar rritje të pagës minimale, por që ende kjo nuk ka ndryshuar.

“Sot kemi një invasion me përmasa alarmante. Kushtet e punës vazhdojnë të jenë të rënda. Këtë e tregon numri i lartë i personave që kanë aplikuar për t’u larguar nga vendi”, u tha ndër të tjera.

“Inflacioni në Kosovë po arrin përmasa alarmante. Në ndërkohë që pagat e punëtorëve të sektorit privat janë zvogluar për 30%, paga minimale s’ka lëvizë. Kushtet e punës vazhdojnë të jenë të rënda në Kosovë. Këtë më së miri e tregon shifra e lartë e qytetarëve që po ikin. Mbi 50 mijë qytetarë në muaj aplikojnë për t’u larguar nga vendi. 20 mjekë kanë emigruar vetëm muajin e fundit. Pagat e sektorit publik të njejta. Të gjitha punët publike të bllokuara. Bordi i OShP-së është jofunksional”, tha ajo.

“Faturat e energjisë elektrike të papërballueshme. Korporatat private me fitim. Ndërsa të gjitha këto e karakterizuan vitin që lamë pas, Qeveria thotë se Kosova ka zhvillim të pashembullt ekonomik. Kur kishim krizë të energjisë, Qeveria thoshte të mbulohen me qebe. Kur kishim krizë të çmimeve, Qeveria na tha ky është çmimi i demokracisë. Kjo na e kujton thënien e famshme të mbretëreshës franceze Mari Antoneta. Kur asaj i kishin thënë se populli nuk ka bukë të hajë, “le të hanë tortë”, citoi aktivistja e PSD-së fjalët e mbretëreshës franceze.

“Këto deklarata janë tregues i distancës së udhëheqësit me popullin.  Këto deklarata janë tregues të shpërfilljes së problemeve të përditshmërisë së qytetarit. Këto deklarata flasin për kullën e fildishtë ku këta liderë qëndrojnë. Të shpërqendruar në lavdinë e pozitës, ata harrojnë preokupimet e vërteta të vendit.  Kjo distancë e madhe nuk është veç fizike. Distanca aq e madhe, bëhet ndjeshmëri dhe optikë tjetër”, tha tutje ajo.

Të ngjashme