PSD-ja kërkon të bëhen publike marrëveshjet për autostrada dhe hekurudha

Prishtinë | 04 Mar 2020 | 11:47 | Nga Fitore Berisha

Partia Socialdemokrate (PSD) përmes një aksioni simbolik ka kërkuar qasje në dokumente zyrtare për të parë përmbajtjen e marrëveshjeve atë për autostrada dhe atë për hekurudha, të nënshkruara javë më parë nga delegacionet nga Kosova dhe Serbia, e cila është bërë në Mynih të Gjermanisë, raporton Ekonomia Online.

Sekretari i PSD-së, Nol Nushi ka thënë se po kërkojnë që këto marrëveshje të bëhen publike.

“Sot kemi ushtruar kërkesë për realizimin e një të drejte qytetare. Kemi parashtruar kërkesë që përbën çështjet interesit publik”.

“Sot janë bërë 20 ditë ç’prej se janë nënshkruar dy marrëveshje me Serbinë. Është fjala për Marrëveshjen për Hekurudhat dhe atë për Autostradat. Përveç ceremonisë së nënshkrimit që e kemi parë përmes medieve, askush nuk di gjë për to. Qeveria po i privon qytetarët nga e drejta për t’u informuar”.

“Marrëveshjet janë nënshkruar më 14 shkurt, pra në kohën e Qeverisë Kurti. Publikimi i tyre shtron natyrshëm pyetjen mbi përmbajtjen e tyre. Qeveria nuk po i publikon marrëveshjet sepse nuk ka guxim të mbaj asnjë qëndrim për to. Por, duke i mbajtur të fshehta ato, ajo po e shkel ligjin. E drejta për qasje në dokumentet publike është një e drejtë e garantuar. Ajo garantohet nga Neni 41 i Kushtetutës dhe nga Ligji NR.06/L-081 Për Qasje në Dokumentet Publike. Censura është praktikë jo demokratike dhe shkelje e ligjit”.

“Kryeministri Kurti dhe ministri Abdixhiku duhet të përgjigjen për këtë. Kohëve të fundit kryeministrin e kemi parë në rolin e gazetarit hulumtues duke publikuar dokumente të vitit 2013. Por, për t’u bërë kredibil, ai duhet t’i zbardh dhe të na tregojë nëse është dakord me marrëveshjet e nënshkruara para 3 javësh”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme