PSD-ja kërkon vetting në Kosovë

Prishtinë | 22 Gus 2018 | 14:37 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Partia Socialdemokrate (PSD) ka kërkuar proces të vettingut në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Përmes një konference për media, deputeti i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi, i ka quajtur qesharake dhe joserioze deklaratat e krerëve të shtetit lidhur me dorëheqjen e prokurorit Elez Blakaj.

“Të gjithë e quajnë frikacak prokurorin që ka ikur nga Kosova dhe nuk merren fare me atë çka ka thënë ai. Për ne është shqetësuese që krimi e ka kapur sistemin e drejtësisë dhe pikën fillestare e ka në institucionet e vendit. Zotëri Lumezi e pranon që është takuar me Besim Beqajn. E kemi pastaj edhe reagimin e Kadri Veselit i cili e quan prokurorin frikacak. Një drejtues i një shteti që nuk e ka mizën pas veshit, duhet t’i marrë parasysh deklaratat, e jo ta quaj frikacak. Ndërkaq edhe Haradinaj në vend që të kërkojë hetim të këtyre deklaratave, ai e quan pishpirik e frikacak”.

Krasniqi tha se PSD-ja kërkon të mbahet seancë e jashtëzakonshme, edhe pse është koha e pushimeve, raporton Ekonomia Online.

“Zakonisht kur ne akuzojmë dikë, thonë pritni hetimet, ndërkaq këta nuk po e presin por po reagojnë menjëherë. Reagimi i Haradinajt është komplet joserioz dhe i papërgjegjshëm. PSD kërkon një mbledhje të jashtëzakonshme nga Kuvendi i Kosovës, ne kërkojmë edhe nga partitë e tjera të na japin nënshkrimet e tyre. Më e pakta që mund të bëjmë si opozitë është që ta thërrasim një seancë të jashtëzakonshme, pa marrë parasysh pushimet. Duhet të kemi një proces të vettingut që bëhet nga Kuvendi i Kosovës, ku marrin pjesë të gjitha grupet parlamentare”.

Natyra Kuçi, anëtare e kryesisë së PSD-së, tha se pa proces të vetingut, në Kosovë nuk do të ketë sistem të drejtësisë, raporton EO.

“Qeverisja e stilit Pronto nuk do të ishte e mundur po të mos kishte prokuror si Aleksandër Lumezi e Reshat Millaku. Fatkeqësisht, disa nga individët që dyshohet të jenë pjesë e skandalit për fryrjen e listave kane qenë bartës të luftës në vend. Në Kosovë do të mund të kemi një sistem të drejtësisë vetëm pasi të kemi një proces të vetingut”.

Sipas Kuçit, duhet të formohet komisioni që bën vlerësimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

“Valën e ndryshimeve duhet filluar diku dhe ajo duhet të fillojë tash pikërisht në sistemin e drejtësisë. PSD-ja e mbështet nismën e qytetarëve dhe protestën e thirrur sot. Nuk mund të ketë shtet të së të drejtës nëse nuk organizohet vetingu. Duhet të formohet një komision i cili do të bëhet vlerësimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve. Çdo prokuror dhe gjyqtar do të duhej t’i nënshtrohet rivlerësimit”, shtoi ajo.

Lexo më shumë:

Të ngjashme