PSD-ja kritikon protestën para rektoratit të UP-së: T’i çlirojmë protestat e zaptuara nga pushteti

Prishtinë | 05 Pri 2021 | 14:39 | Nga Ekonomia Online

Partia Socialdemokrate thotë se protesta e organizuar ndaj profesorit Ardian Kastrati pasi ky i fundit bullizoi presidenten e zgjedhur Vjosa Osmani, ka më shumë tendencë për të zaptuar pushteti sesa për të denuar gjuhën seksiste.

Aktivistë të shoqërisë civile  përmes një protestë të organizuar të hënën në oborrin e Rektoratit  të Universitetit të Prishtinës, kanë kërkuar përjashtimin e Ardian Kastratit nga UP-ja.

PSD-ja thotë se qëllimi i kësaj proteste nuk është fillimi i një diskutimi dhe organizimi kundër pabarazive që do të shfaqen, por përndjekje e kundërshtarëve politik.

Në vijim reagimi i plotë i PSD-së:

Gjuha seksiste dhe bullizmi duhet dënuar, dhe për këtë nuk ka hamendësim, por ajo që duhet vënë në dyshim është organizimi i reagimeve dhe protestave, pasur parasysh kontekstin aktual politik. Prostestat nuk mund të shërbejnë si kushtrim për gjueti shtrigash. Ka ndodhur shpesh që gjyqet e spastrimet kanë pasur si shkas kundërshtime që janë legjitime për t’u bërë. 

E dimë po ashtu që gjuha seksiste është e dënueshme pavarësisht kush e ushtron dhe ndaj kujt drejtohet. Por, parimi “pavarësisht kush dhe ndaj kujt”, parim që zhduk partikularitetet drejt vëmendjes tek gjuha shtypëse nuk ka ekzistuar. Eksponentë të pushtetit të sotëm janë amnistuar kur kanë ushtruar gjuhë seksiste; kur ajo drejtohej ndaj grave të kampit tjetër nuk shihnim as nuk dëgjonim. 

Nuk mund të mos e shohim po ashtu që disa nga organizatorët kundër seksizmit shquhen për racizëm kulturor, por edhe puthadorë të pushtetit “Krejt dhe Drejt”. Gjuha denigruese, tani me pushtetin autoritar të Kurtit, vetëm sa do të rritet, kur vie puna për mbrojtjen e pozicioneve të pushtetit. Dëshmi është lloji i deputetit dhe militantit të partisë në pushtet, seksist e homofob.

Qëllimi i kësaj proteste nuk është fillimi i një diskutimi dhe organizimi kundër pabarazive që do të shfaqen, por përndjekje e kundërshtarëve politik. Pushteti i ri erdhi edhe me protesta të llojit të ri, që kur është fjala për njerëz të pushtetshëm që cenohen, organizohen brenda 12 orëve, ndërsa në raste kur vriten gratë, dhunohen e denigrohen, në të shumtën e rasteve mbesin në nivel të reagimeve në rrjete sociale. Problemi i këtyre reagimeve është që ato nuk kanë qëllim luftimin e pabarazisë, por kontrollimin e diskursit opozitar. 

Në anën tjetër, nëse i sheh tri kërkesat e protestës, ato tregojnë që qëllimi kryesor është shkarkimi i bordit të Universitetit të Prishtinës, sepse pas ardhjes së pushtetit të ri në Qeveri dhe në Presidencë, duhet të rivendosen raportet edhe me Universitetin, për ta kontrolluar atë.

T’i çlirojmë protestat e zaptuara nga pushteti.

Të ngjashme