PSD-ja thotë se s’do t’ia japë Qeverisë votat për buxhetin nëse nuk plotësohen kushtet e saj

Prishtinë | 10 Jan 2019 | 19:30 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri Ramush Haradinaj ka arsyetuar vendimin për rritje të numrit të këshilltarëve.

Thotë se ka nevojë për këshilltarë, për shkak të angazhimeve shtesë në dialogun me Serbinë.

Një numër të këshilltarëve, Haradinaj thotë se ia kanë ofruar edhe disa shtete mike.

Sipas vendimit të Qeverisë, kryeministri pritet t’i ketë 24 këshilltarë politikë që do të paguhen me para të shtetit, në mesin e tyre 9 nga komunitetet.

Ndërsa, 11 të tjerë të jashtëm që nuk paguhen me para të taksapaguesve kosovarë.

Ndërkaq, votimi i buxhetit për vitin 2019, kryeministri thotë se do të bëhet në fund të këtij muaji.

Ai beson se do t’i plotësojnë kërkesat e PSD-së, që kanë të bëjnë me miratimin e Ligjit për Pagat, Ligjit për Qeverinë dhe shkarkimin e ministrit të Bujqësisë Nenad Rikallo.

Por, PSD-ja, që i ka përcaktuar 5 kushte për votimin e buxhetit, thotë se vendimi i qeverisë për shtimin e numrit të këshilltarëve politikë dhe kështu edhe shpenzimeve, duhet të jetë në përgjegjësinë e kryeministrit.

Shefi i deputetëve të kësaj partie, Dardan Sejdiu, thotë se pa u plotësuar kushtet, ndër to që çdo ministri të ketë jo më shumë se 2 zëvendësministra, nuk do t’ia japin votën Haradinajt për buxhetin.

Aktualisht, në çdo ministri janë të paktën nga 5 zëvendësministra.

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje kanë paralajmëruar se nuk do ta votojnë buxhetin për vitin 2019.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme