PSD kërkon takim me grupet parlamentare për pagën minimale

Prishtinë | 13 Maj 2019 | 17:16 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, përmes një letre iu ka propozuar kryetarëve të Grupeve Parlamentare të Kuvendit të Republikës që të takohen nesër për ta harmonizuar tekstin e Rezolutës që të jetë e gatshme për t’u votuar në seancën e së mërkurës (me 15 maj 2019). 

 Më poshtë deklarimi i zotit Ymeri dhe letra e nisur: 

“Debatin për pagën minimale e kemi zhvilluar në Kuvend me datën 17 prill 2019. Atëbotë kemi propozuar edhe një tekst Rezolutë për t’u miratuar në Kuvend. Të mërkurën pritet të votohet kjo Rezolutë.

 Që prej se kemi ndërmarrë nismën për rritjen e pagës minimale, kjo çështje ka marrë jehonë dhe formë. Dhe është e natyrshme. Edhe sot e kësaj dite ka punëtorë në Kosovë që punojnë më shumë se orari i rregullt (8 orë në ditë e 5 ditë në javë) dhe paguhen vetëm 130 në muaj, ose 170 nëse janë mbi moshën 35 vjeçare. Është absolutisht e pakuptimtë se si mund të kundërshtohet rritja e pagës minimale. Kështu, duke e kundërshtuar rritjen e pagës minimale, mbrohet qëndrimi që një njeri mund të jetojë me 130 euro në muaj. Me këtë pagë minimale nuk mund të jetohet. Është obligim i yni, si deputetë përfaqësues, e si institucione publike e të Republikës, që të krijojmë kushte për jetesë në Kosovë. Rritja e pagës minimale është njëra prej këtyre kushteve.

 Për një pagë për me jetu!

 Me anë të kësaj letre u kam propozuar kryetarëve të Grupeve Parlamentare të Kuvendit të Republikës që të takohemi nesër për ta harmonizuar tekstin e Rezolutës që të jetë e gatshme për t’u votuar në seancën e së mërkurës. Është tejet e rëndësishme të bëhemi bashkë për kushtet dhe të drejtat e punëtorëve të Kosovës.”

Të ngjashme